Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë në drekën zyrtare të organizuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Austrisë, Josef Pröll, në Hotel Sacher në Vjenë, në prag të ndeshjes Austri–Kosovë.
Në takim ishte i pranishëm edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Vjenë, Albinot Bimbashi.
Ademi ka vlerësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Austrisë, duke theksuar mbështetjen e Austrisë në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, si dhe rolin e saj në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Sipas Ademit, presidenti austriak Pröll ka shprehur kënaqësinë që stadiumi “Ernst Happel” do të jetë i stërmbushur, duke veçuar praninë e madhe të tifozëve kosovarë dhe bashkatdhetarëve që jetojnë në Austri.
Në fokus të bisedës ishte edhe Franco Foda, i cili në të kaluarën ka drejtuar Kombëtaren e Austrisë, ndërsa sot është përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës.
Ademi ka bërë të ditur gjithashtu se në tetor do të përballen edhe Kombëtaret e femrave të Kosovës dhe Austrisë, në kuadër të garës për një vend në Kupën e Botës 2027.
“Urova që sonte të kemi një ndeshje të bukur, të fortë dhe mbi të gjitha në frymën e fair-play-it”, ka shkruar Ademi.
Ai ka shprehur besimin se në “Ernst Happel” do të jehojë kënga e Dardanëve dhe se Kosova do të synojë një tjetër rezultat pozitiv.
Postimi i plotë:
🇽🇰🇦🇹 Në prag të ndeshjes Austri–Kosovë, me delegacionin e FFK-së ishim në drekën zyrtare të shtruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Austrisë, Josef Pröll, në Hotel Sacher në Vjenë, e ku ishte i pranishëm edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, Albinot Bimbashi.
Për ne, Vjena është një vend i veçantë. Austria jo vetëm që na ka mbështetur në rrugëtimin drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, por ka qenë edhe aleat dhe vend i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Presidenti Pröll na uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për faktin se “Ernst Happel” do të jetë i stërmbushur, duke theksuar se prania e madhe e tifozëve tanë, veçanërisht e bashkatdhetarëve që jetojnë në Vjenë dhe Austri, i jep kësaj ndeshjeje një dimension të veçantë. Ai vlerësoi atmosferën e krijuar rreth kësaj përballjeje dhe u shpreh se pret një ndeshje shumë të mirë.
E veçantë ishte edhe biseda për Franco Fodën, i cili dikur drejtonte Kombëtaren e Austrisë, ndërsa sot është përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës.
Në tetor, edhe Kombëtaret tona të femrave do të përballen për një vend në Kupën e Botës 2027, çka i jep edhe më shumë rëndësi lidhjes sportive mes Kosovës dhe Austrisë në këtë periudhë.
Ndërkohë, duke e falënderuar presidentin Pröll për mikpritjen e ngrohtë urova që sonte të kemi një ndeshje të bukur, të fortë dhe mbi të gjitha në frymën e fair-play-it.
Një pjesë e rëndësishme e ulëseve në stadium do të jenë të mbushura me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Austri, por edhe nga vende të tjera të Evropës e botës. Pikërisht kjo e bën edhe më të veçantë këtë përballje.
Me besim të plotë që edhe sonte do të jehojë kënga e Dardanëve, uroj që në fund t’i gëzohemi një tjetër rezultati pozitiv! ⚽️
🇽🇰💙💛 #MeFutbollinPërKosovën






