-2 C
New York
Friday, December 27, 2024

Buy now

Adem kreshniku

- Advertisement -

Nga Berat Argamedoni

Adem Gashit i pati rënë hise të vinte në këtë botë, në Drenicë, në vitin 1953. Sapo lindi trashëgoi emrin e Ademit të parë, të vëllait, të mbytur nga rrufeja. Pak muaj pasi i bëri shtatëdhjetë vjet, Ademi i dytë, pa bërë kurrë ankesë shëndetësore, pa bërë kurrë lëngata, u nis shtegut diellor të të lavdishmëve si rrufeja. La bujë të madhe pas vetes. La vepra letrare, la mirësi, la edukim, la tekste të këngëve. La edhe punë të pabëra. Edhe sa ishte mes nesh, edhe sot që s’është, edhe na ka mësuar për shumë gjëra, edhe vazhdon të na mësojë. Kur, në raste të tilla, në orë përkujtimore dhe në përurime librash bashkë merrnim pjesë, mua dhe miqve të vet na thoshte: shkruani më së shumti dy faqe. E treta bëhet monotone bre! Para publikut dilni me faqe të bardhë me shkronja të zeza, se llafe mund të bëjmë ditë e natë në kafe. Modestinë e njerëzve e çmonte, vlerat e veprave të tyre i argumentonte privatisht dhe publikisht. As polemikave nuk u përtonte. I mprehtë dhe i rreptë, fort. Reagimet, për çfarëdo dukurish të këqija, nëse s’i bënte i pari, nuk i bënte i fundit. Rebel edhe pas pensionimit. I respektuar dhe i nderuar edhe pas vdekjes. Kreshnik, gjallë dhe pas vdekjes, jo për tiparet fizike, por për tiparet morale dhe atdhetare.

Adem Gashi, para se të shkruante për veprat që kishte lexuar ndër vite dhe për dorëshkrimet e shumë autorëve, ka filluar të shkruajë dhe të botojë poezi në shtypin javor. Nxitur për t’u bërë poet e ka mësuesi i tij i fillores, Habib Çelaj, ndjesë pastë!, të cilit Ademi atëkohë, sa ishte nxënës i tij, ia lexonte poezitë dhe përpiqej ta imitonte mësuesin e vet. Por, pas shumë viteve karrierë letrare, Ademi i redaktonte librat me poezi të mësuesit të vet. E para se t’ia sillte ai librat për redaktim, Adem Gashi qe bërë emër i njohur në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në gjithë Kosovën, edhe në disa qytete dhe shtete të ndryshme të Evropës në të cilat organizoheshin takime letrare e në të cilat, nëse nuk ftohej Ademi ose nuk kishte mundësi të shkonte, lexoheshin krijime artistike të tij edhe të përkthyera.

Shtegtimin poetik, me libër të botuar, Adem Gashi e pati nisur në vitin 1982, me titullin “Pa ombrellë”. S’i duhej mbrojtja as nga shiu, as nga bora, as nga era, as nga zjarri, as nga kritikët. Nga askush. Tri vjet pas ’82-s filloi ta punojë autoportretin, kurse pesë vjet më vonë realitetin objektiv. Derisa i shkruante vargjet e këtyre dy librave, shkruante edhe në përmbledhjen me tregime “Vdekja e mixhës”. Ëndrrat e liga, në kohë të vështira, i vinin e i shkonin. Ëndrrat, fatkeqësisht, kishte raste që i bëheshin realitet. Në luftë iu dogjën mbi pesë mijë libra dhe disa dorëshkrime. Pas luftës, duke i kujtuar dorëshkrimet e veta, e botoi librin me poezi “Dorëshkrim i djegur”, i cili titull, për shumë poetë të Kosovës, u bë lajtmotiv në shumë poezi të tyre. Me duar në makinë të shkrimit shkroi edhe për lulet e vetmuara. Edhe pse brenda shpirtit dhe mendjes së vet kishte gjurmë të luftës, brenda familjes së gruas edhe viktima, e ndiente se duhej të shkruante edhe për dashurinë. E nisi triptikun për Ledin dhe e bitisi me shumë sakrifica dhe net pa gjumë. Ndërkohë, veprimtarisë së vet letrare ia shtoi 20 vepra me poezi, katra me tregime, dy romane, dy me eseistikë. Veprat dhe poezitë i pajisi me mbi 50 mirënjohje, çmime dhe certifikata, kurse karrierën letrare me çmimin për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës në vitin 2022.

U patëm marrë vesh, sa ishte gjallë dhe pasi e mori këtë çmim, që libër të ri më nuk do të botoj derisa t’ia botoj kompletin e veprës në gjashtë vëllime. E priste edhe këtë botim. Po përkrah tij priste një botim të veçantë, për të cilin, në javët e fundit, më shumë kemi biseduar për të sesa për çdo temë tjetër në restorantin “Edi 2” këtu në Prishtinë. Priste botimin e përmbledhjes së teksteve të këngëve “Sërish vjen marsi” të cilat i ka shkruar për heronj, për dëshmorë, për veprimtarë shqiptarë. Kam qenë i pranishëm me të disa herë kur merrte porosi për tekste të këngëve. Në një letër të vogël, shpeshherë në kupon fiskal, me laps i shkruante të dhënat e subjektit të këngës për të cilin i rrëfenin qoftë familjarët e tij, qoftë miqtë e tij. I mjaftonin emri, mbiemri, tiparet fizike të tij, të bëmat e tij me dy-tri fjalë. Ashtu si poezitë, edhe tekstet e këngëve i shkruante në orët e vona të natës ose në orët e para të mëngjesit. Nuk shkruante kur nuk i vinte frymëzimi. E provonte, nuk i shkonte, e linte. Po e pres dakikun, – thoshte. E provonte pas një a dy netësh. Veç një vjegëz, një fill i duhej, që një vepër atdhetare të një heroi në fushëbetejë, ta bënte kryevepër në tekst. E kryevepra të tilla, që do të përmenden e të këndohen gjithmonë, ka shkruar rreth 200. Nami dhe nishani i tij, përpos në letërsi, do të jenë të përgjithmonshëm edhe në muzikë përkrah Ilir Shaqirit.

Kaq më thoshte Adem Gashi shkruaj, se më tepër bëhet monotone për publikun.

Këtë herë po bëj një përjashtim meqë dua t’i zë ngoje edhe disa copa të biografisë së tij.

Shkollimin fillor e nisi në Nekoc, e përfundoi në Komoran. Shkollën Normale e kreu në Prishtinë. Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ndërpreu për shkak të burgosjes. Pak vite punoi mësues, trembëdhjetë vjet në Radiotelevizionin e Prishtinës. Disa vjet edhe drejtori i tij. Pas luftës u emëruar nënkryetar, pastaj kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila, meqë nuk ka ndërgjegje, një telegram ngushëllimi për të s’e shkroi. Me bursë nga fondacioni gjerman “Heinrich Böll-Stiftung” ka ndenjur dhe shkruar në shtëpinë e nobelistit Bëll në Gjermani (Langenbroich). Për shkak të këshillave në interes të kulturës, më 2002 emërohet këshilltar i lartë politik i një ish-ministri të Kulturës. Me idenë dhe kërkesën e tij, MKRS-ja nis shpalljen e konkursit për botim të librave e cilave vazhdon edhe sot. Pasi ndërpret punën në MKRS, emërohet drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në të cilën pensionohet.

Adem Gashi, ai burrë i pjekur që iku nga ne pa na përshëndetur, u ka ndihmuar shumë krijuesve të rinj. Kudo që ka gjetur një vepër të mirë ua ka përmendur njëqind të tjerëve. Kudo që ka lexuar një poezi të mirë ia ka përmendur sekujt. Pos të rinjve, si asnjë krijues tjetër bashkëkohanik me të, ka shkruar recensione për veprat e kolegëve të vet. Nuk ka pasur inat ndaj askujt që krijon vlera letrare. Mërzi e ka pasur të pavlerën. Nëse s’e ka grisur, e ka lënë mënjanë. Për shkak, mbase të nivelit më të lartë artistik që e kishte vet e që s’e kishin bashkëmoshatarët e tij, ata nuk bënin kritika anasjelltas për veprat e tij. Disa prej tyre shpirtngushtësinë e shpërfaqnin me heshtje. Por, për veprat dhe krijimtarinë e Adem Gashit nuk kanë heshtur dhjetëra studiues dhe shkrimtarë të moshave të ndryshme që i përmendi Izeti, disa prej të cilëve Ademi u ka redaktuar libra. Dhe ai që iku e ne u mblodhëm për ta përkujtuar sot, ka redaktuar qindra libra. Ka qenë “argat” në të mbjellat e të korrat e sukseseve të shumë krijuesve. Ka derdhur djersë në shumë “ara” letrare dhe shkencore të krijuesve dhe të studiuesve. Kurrë mos u harroftë as ky mund i tij! Kaq. Lavdi

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit