Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka reaguar pas kthimit në Kuvend të Ligjit për Gjykatën Speciale, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Grabovci ka kërkuar nga drejtuesit përgjegjës që të sqarojnë arsyet e këtij vendimi dhe të bëjnë të ditur se kush e ka propozuar kthimin e ligjit dhe kush e mbështet atë.
“Përgjegjësia ka emër. Vendimet kanë autorë. Dhe qytetarët kanë të drejtë t’i dinë të dyja!”, ka shkruar Grabovci.
Ai ka kritikuar ndryshimin e qëndrimeve politike, duke kërkuar që ata që më parë kanë kërkuar votimin e ligjit, tash të shpjegojnë arsyet për kërkesën që ai të kthehet në Kuvend.
“Kush dje kërkonte votimin e ligjit, sot le të dalë e të shpjegojë pse kërkon kthimin e tij. Qëndrimet politike nuk ndërrohen pa dhënë llogari!”, ka deklaruar ai.
Grabovci ka theksuar se çështja e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të përdoret për interesa politike.
“Çlirimtarët nuk janë monedhë për kusure e pazare politike!”, ka shkruar ai, duke shtuar se askush nuk e ka monopolin e PDK-së.
Ai ka kërkuar publikisht që të bëhen të ditura arsyet juridike për kthimin e ligjit, si dhe emrat e personave që e kanë propozuar dhe mbështetur këtë vendim.
“SHESHI NUK ËSHTË LARG, ndërsa llogaridhënia publike nuk shmanget me manovra politike!”, ka shkruar Grabovci.
Në reagimin e tij, ai ka theksuar se qëllimi i ligjit duhet të jetë kontributi në llogaridhënie dhe hapja e rrugës për drejtësi për çlirimtarët, siç është shprehur ai, për të përmirësuar padrejtësinë historike të 16 shtatorit.
“Mjaftë është mjaftë. Nuk e meritojnë çlirimtarët e as populli ynë këtë lojë”, ka përfunduar Grabovci.






