Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas tragjedisë së rëndë që ka ndodhur në Malishevë, ku humbën jetën një baba bashkë me dy fëmijët e tij, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dhimbje të madhe për të gjithë shoqërinë.
Përmes një reagimi publik, Abdixhiku është shprehur thellësisht i prekur nga rasti tragjik, duke theksuar se kjo humbje e rëndë prek jo vetëm familjen e viktimave, por edhe gjithë qytetarët e vendit. Ai ka nënvizuar se në momente të tilla, fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar dhimbjen.“
Jam thellësisht i prekur nga tragjedia e rëndë që ka goditur një familje në Malishevë, ku humbën jetën babai me dy fëmijë. Kjo tragjedi e madhe na rëndon të gjithëve; si individë, prindër e bashkëqytetarë të Republikës”, shkroi i pari i LDK-së.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave, duke shtuar se ndajnë dhimbjen me ta dhe qëndrojnë pranë tyre në këto çaste zie.Abdixhiku gjithashtu ka bërë thirrje për solidaritet njerëzor, duke theksuar se në kohë të tilla të vështira, mbështetja dhe bashkëndjenja janë thelbësore. Ai ka shprehur lutjen që familjarët të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme.






