Abdixhiku përdor gjuhën e VV-së kundër Ramës, e ndërlidh me PDK-në pas paralajmërimit për kandidim në krye të LDK-së

- Advertisement -

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po përdor një aludim të njohur nga Lëvizja Vetëvendosje në përplasjen me Përparim Ramën, afërsinë e tij me PDK-në.

Pikërisht këtë pretendim e kishin përdorur më herët zyrtarë të VV-së, të cilët e paraqitnin Ramën si instrument të PDK-së për dobësimin e Abdixhikut.

Tash, ndërsa kryetari i Prishtinës ka shpallur ambicien për ta marrë drejtimin e LDK-së, edhe Abdixhiku e ka futur PDK-në në polemikën me të.

Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, më 22 tetor, Abdixhiku iu përgjigj me ironi ambicies së Ramës për kryetar të LDK-së.

Ai tha se Rama ndoshta e kishte fjalën për PDK-në, meqë në atë parti ishte e hapur gara për kryetar.

Kjo përgjigje është e ngjashme me pretendimet që Vetëvendosje i ka përsëritur prej muajsh, duke e lidhur Ramën me ndikimin politik të PDK-së.

Një ditë më parë, Rama kishte konfirmuar publikisht se do të kandidonte për drejtimin e LDK-së, duke iu referuar rezultateve të tij në kryeqytet.

“Unë jam dëshmu në Prishtinë, jam rizgjedh (kryetar), e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë”, deklaroi Rama.

Ai kërkoi edhe dorëheqjen e Abdixhikut, duke e kritikuar për renditjen e LDK-së në vendin e tretë në tri palë zgjedhje.

“Mendoj që do të kishte bërë mirë (me dhënë dorëheqje Lumir Abdixhiku), ashtu duhet me bë”, deklaroi ai.

Por, lidhja e pretenduar e Ramës me PDK-në nuk është argument i ri në përplasjet politike rreth LDK-së.

Më 26 qershor 2026, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, kishte pretenduar se PDK-ja po përdorte Ramën për ta goditur udhëheqjen e LDK-së.

Sipas tij, synimi ishte pengimi i një bashkëpunimi të mundshëm ndërmjet Abdixhikut dhe Vetëvendosjes për çështjen e presidentit.

Të ngjashme

Të fundit