Abdixhiku i reagon Kurtit për 100 eurot: Blerje votash, propagandë

- Advertisement -

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për ndarjen e 100 eurove për disa kategori qytetarësh në Kosovë.

Në reagimin e tij, Abdixhiku e ka cilësuar këtë masë si të motivuar politikisht, duke shtuar se synon ndikim elektoral në prag të zhvillimeve politike.

Sipas tij, vendime të tilla nuk adresojnë problemet reale të qytetarëve, por shërbejnë si mjete për ruajtjen e pushtetit.

“Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit”, shkruaan ai.

Abdixhiku ka theksuar se vendi ka nevojë për një qasje krejt tjetër qeverisëse, ku mbështetja për qytetarët, rritja e mirëqenies dhe zhvillimi ekonomik të mos shihen si masa afatshkurtra elektorale, por si politika të qëndrueshme shtetërore.

Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër gjendjen socio-ekonomike në vend, duke thënë se qytetarët nuk duhet të trajtohen si objekt i përfitimeve politike dhe se Kosova ka nevojë për “një kapitull të ri” në qeverisje, me fokus në paga dinjitoze, investime dhe zhvillim afatgjatë.

“Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës!”

Të ngjashme

Të fundit