Drejtori për Financa në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj ka treguar për punën që kanë bërë si Asociacion i Komunave për t’i mbrojtur të hyrat vetanake.
Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në 23 vjet të qeverisjes lokale në vend.
Abazaj ka deklaruar se ministri Murati ka tentuar ta kontrabandojë këtë vendim pa i njoftuar komunat që të hyrat vetanake e pashpenzuara të tyre t’i orientojë për investime diku tjetër.
Këto mjete të pashpenzuara të komunave kryesisht janë grumbulluar gjatë pandemisë, kohës së inflacionit, ku shumë kompani kanë refuzuar të punojnë, pra janë mjete të papaguara për punët që nuk kanë mundur të përfundojnë deri me 31 dhjetor.
“Ne tash rrezikojmë që pas pezullimit të të hyrave vetanake, operatorët ekonomik t’i dërgojnë komunat në përmbarim shkaku i mospagesave. Këtu tash për komuna dalin shumë probleme tjera, kjo ndikon në prishjen e raportit të auditimit për komuna e që në fund rezulton me humbjen e granateve të përformancave për komuna. Pra dëmi për komuna është i shumëfishte dhe në plot raste i pariparueshëm”, ka thënë shefi i Financave në Komunën e Pejës.
Sipas tij, këto vendime të qeverisë janë puro politike dhe qeveria po hakmarrtë ndaj komunave që nuk i fitoji në zgjedhjet komunale, ndërsa që katër komunave që qeverisen nga LVV-ja po mundohen që përmes ministrive të linjës tu financohen projekte që të mos vërehet mungesa e investimeve kapitale.