6.6 C
New York
Friday, March 29, 2024

Buy now

A po nisin “javët kritike” për kosovarët, kjo është situata aktuale në KEK

- Advertisement -
Ulja e temperaturave gjatë ditëve të fundit pritet ta përkeqësojë situatën edhe sa i përket furnizimit me energji elektrike. Çmimi i energjisë pritet të shtrenjtohet, e nga kjo ndikohet direkt edhe Kosova meqë e ka të domosdoshëm importin gjatë dimrit. Por, si është situata aktuale në KEK? Cilat blloqe janë në prodhim dhe sa është duke u prodhuar energji?

“Javët kritike” që kishte paralajmëruar Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duket se po vijnë për kosovarët. Dimri i vërtetë po fillon.

Që nga fundjava, temperaturat janë ulur kogja shumë. Nëse vazhdon i ftohti, pritet të rritet konsumi, e si pasojë do të ketë edhe shtrenjtim të energjisë.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës i kanë thënë  Express se aktualisht janë katër njësi në prodhim.

Zëdhënësi i KEK’ut, Skëndër Bucolli ka treguar edhe për rrymën që është duke u prodhuar, derisa ka shtuar se janë duke marrë edhe energji nga sasia që kanë depozituar në Koorporatën Energjetike të Shqipërisë.

“Korporata Energjike e Kosovës ju njofton se bazuar në planin dhe bilancin energjetikë të aprovuar në prodhim janë njësitë A – 3 dhe A – 4  të Termocentralit ‘Kosova A dhe njësitë B – 1 dhe B – 2 të Termocentralit ‘Kosova B’’. Për më tepër, prodhimi aktual i njësive gjeneruese të KEK Sh.A. për sot dt. 07.02.2023, është 16.920 MË/h, ndërsa 1370 MË/h janë marre nga KESH, Shqipëri, nga deponimet  tona atje, gjithashtu, edhe Termokosit i janë ofruar 2100 MË/h energji termike për ngrohjen e qytetarëve të kryeqytetit”, ka deklaruar Bucolli.

I pyetur nëse mund të ketë përkeqësim të situatës pas uljes së temperaturave, Bucolli s’ka kthyer përgjigje direkte, por vetëm ka thënë se në katër njësitë gjeneruese kanë përfunduar remontet e rregullta vjetore dhe se siguria e operimit është ngritur.

“Ne katër njësitë gjeneruese kanë përfunduar remontet e rregullta vjetore me ç’rast edhe siguria e operimit është ngritur”, thuhet në përgjigje.

Apeli i Rizvanollit dhe paralajmërimi që kishte bërë në janar

Të dielën, kur tempraturat shënuan rënie të ndjeshme, Ministrja Rizvanolli kërkoi nga qytetarët që të kursejnë energjinë që të mos e ngarkojnë rrjetin elektro-energjetik.

Sugjerimi i saj ishte që disa pajisje të shfrytëzohen pas orës 24:00.

“Sot janë ulur ndjeshëm temperaturat, e këtë parashikim të motit do ta kemi edhe në ditët në vijim. Për të kursyer energjinë elektrike e gjithashtu për të mos e ngarkuar rrjetin elektro-energjetik ju lusim që të kurseni dhe të optimizoni shfrytesimin e energjisë elektrike. Shkyçni dritat e panevojshme, shfrytëzoni rrobalarësen pas orës 24:00, shfrytëzoni enëlarësen pas orës 24:00, aktivizoni bojlerin pas orës 24:00, shfrytëzoni tharësen pas orës 24:00”, shkroi Rizvanolli.

Se situata me energji mund të përkeqësohej me uljen e temperaturave, Ministrja e kishte paralajmëruar në fillim të muajit janar.

Si afat e kishte dhënë fundin e muajit shkurt dhe muajin mars.

“Duke qenë se furnizimi me energji elektrike vazhdon të ketë rrisqe të lidhura me rritjen eventuale që pritet gjatë fundit të muajit shkurt dhe muajit mars veçanërisht me ftohjen e motit në gjithë Evropën. Propozojmë masat e emergjencës në furnizim me energji ku ndër të tjera ndalohet përdorimi i energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave, obligohen institucionet si KEDS, KOSTT, Ministria e Ekonomisë të marrin masa të veçanta për siguri të furnizimit. Masa shtesë do të ndërmerren sipas nevojës dhe rekomandimeve të Komitetit Teknik Emergjent, siç parashihet me ligj dhe udhëzimin administrativ”, kishte deklaruar Rizvanolli, në mbledhje të Qeverisë ku ishte vendosur për vazhdimin e masave emergjente.

Për këtë çështje, Rizvanolli ishte deklaruar edhe në konferencë për media, ku kishte thënë se javët në vijim janë kritike, por se “kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime”.

“Vendosëm masat emergjente për furnizim me energji, duke qenë se situata me furnizim me energji pritet që të përkeqësohet gjatë javëve në vijim, duke marrë parasysh uljen e temperaturave në të gjithë Evropën. Po hyjmë në javë dhe muaj kritikë të dimrit. Kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime… Nuk jam duke e thënë këtë”, kishte deklaruar Rizvanolli.

Ajo theksonte se çmimet e energjisë elektrike në tregjet europiane “pritet të rriten” dhe se “konsumi pritet të rritet gjithashtu”.

“Kështu që po hyjmë në një fazë ku duhet të kemi edhe më shumë kujdes për kursim të energjisë, gjë që do të ndikojë në uljen e importit, në uljen e kostos së sistemit, si dhe në ruajtjen e buxhetit të shtetit”, kishte deklaruar Ministrja Rizvanolli.

Sa është çmimi i energjisë aktualisht?

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Çmimi i energjisë në bursën hungareze (HUPX), prej ku blen edhe Kosova, sot është 177 euro. Nesër ky çmim pritet të bie në 162 euro.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit