Materialet që ishin sekuestruar kohë më parë nga bastisjet në shtëpinë e Fatmir Limajt, do të përdoren ndaj bashkëluftëtarëve të tij që tash po akuzohen nga Gjykata Speciale. Kjo është vetëm një nga provat e vjetra që Prokuroria e Hagës, po kërkon ta shfrytëzojë në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
Në një parashtresë të Prokurorisë së Hagës, ata kanë kërkuar nga trupi gjykues që të pranohen këto prova të reja në procesin gjyqësor, raporton gazeta Nacionale. Sipas Prokurorisë, këto dokumente dëshmojnë organizimin ushtarak të UÇK-së me në krye Shtabin e Përgjithshëm.
Fatmir Limaj nuk është i vetmi epror i UÇK-së që përmendej në këtë parashtrim. Përmendeshin edhe disa dokumente të Haradin Balajat, që ishte dënuar me burg për krime lufte nga Tribunali i Hagës.
“T-03-66 P9 është një certifikatë e nënshkruar nga komandanti i Brigadës 314 në 5 nëntor 1999, duke treguar se Haradin Balaj ishte anëtar i UÇK-së nga 8 Prill 1998 deri më 19 Shtator 1999. Haradin Balaj është një autor i dyshuar i krimeve në Llapushnik/Lapušnik, objekti i ndalimit, në pranverë/verë 1998. Artikulli i propozuar u zbulua sipas Rregullës 102 (3) 114 dhe rëndësia e tij është nxitur gjatë shqyrtimeve të fundit të zbulimit. Dokumenti është pra i mjaftueshëm i rëndësishëm dhe në këtë fazë, nuk do të shkaktojë paragjykim të padrejtë për mbrojtjen”, thotë Prokuroria e Specializuar.
Vendimi për t’u pranuar ose jo këto prova të reja, tash i takon trupit gjykues me në krye Charles Smith.
Viktimat e njëjta sikur në Tribunalin e Hagës
Megjithatë, dokumente e shkruara po del se nuk janë provat e vetme të vjetra që Prokuroria e Hagës po synon t’i shfrytëzojë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gazeta Nacionale ka raportuar se edhe disa prej viktimave që janë publikuar nga Prokuroria, ishin përmendur nga Tribunali i Hagës në rastin e Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt. Të dy të liruar si të pafajshëm.
Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha janë viktimat që Prokuroria i ka paraqitur për rajonin e Drenasit. Këta 9 viktima, pretendohet se janë vrarë në Malet e Berishës.
Në aktgjykimin e Limajt dhe të tjerëve në Tribunalin e Hagës, nuk ishte gjetur fajtor Limaj dhe Isak Musliu. Kjo pasi nuk kishte prova se të dy ishin përgjegjës për ndonjë veprim, apo në kuadër të zinxhirit komandues për kryerjen e këtyre krimeve.
“Dhoma u bind se nëntë nga të burgosurit e kamp-burgut të Llapushnikut (Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Harjizi, Shaban Hoti, Hasan Hoxha, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti dhe Shyqyri Zymer) u ekzekutuan në Berishë. Dhoma konstatoi se, përderisa ishte e qartë se Limaj dhe Musliu ishin nganjëherë pasues të atyre që kishin lidhje me aktakuzën në pozita komanduese në UÇK, dhe se Limaj më vonë u bë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Prokuroria nuk kishte vërtetuar përfundimisht se ose kishte mbajtur pozita komanduese në lidhje me kamp-burgun e Llapushnikut në maj deri në korrik 1998”, thuhet në aktgjykim, transmeton gazeta Nacionale.
“Megjithatë, në një shqyrtim përfundimtar të provave, Dhoma konstatoi se nuk ishte vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm nga Prokuroria se Limaj kishte ndonjë rol në kamp-burgun, ose në ekzekutimet në malet e Berishës, ose se ai kishte çdo përgjegjësi penale për ndonjë nga veprat për të cilat ai akuzohej. Në lidhje me Musliun, Dhoma konstatoi se kishte pak prova për të identifikuar Musliun se kishte ndonjë lloj përfshirje në kamp-burg. Provat e paraqitura nuk arritën të vërtetonin se Musliu kishte ndonjë përfshirje në ngjarjet e akuzuara, ose në drejtimin e kampit të burgut, ose se ai ishte në ndonjë bazë tjetër penalisht përgjegjës për ndonjë nga veprat për të cilat ai akuzohej në aktakuzë. Për këto arsye, Dhoma Gjyqësore i shpalli Limajn dhe Musliun të pafajshëm”, thuhet në këtë vendim të Tribunalit të Hagës.
Skënder Kuqi, Pal Krasniqi dhe Nenad Remistar përmenden si viktima të UÇK-së në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Të tre ishin përmendur gjithashtu në aktakuzën e Tribunalit të Hagës ku Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj e Idriz Balaj ishin shpallur të pafajshëm.
“Të nesërmen, më 14 apo 15 korrik 1998, ose rreth këtyre datave, në objektin e UÇK-së në Jabllanicë u soll Pal Krasniqi, shqiptar kosovar i besimit katolik, i cili ishte nisur prej shtëpisë së tij në Pejë për t’u anëtarësuar në UÇK. Ai u mbajt në të njëjtën dhomë me Skënder Kuqin. Disa orë më pas, Lahi Brahimaj solli në objektin e UÇK-së në Jabllanicë, Dëshmitarin 3, shqiptar kosovar, i cili u mbajt në të njëjtën dhomë me Skënder Kuqin dhe Pal Krasniqin. Që të tre u rrahën vazhdimisht në objektin e UÇK-së në Jabllanicë”, thuhet në pjesën e parë të aktgjykimit të Tribunalit të Hagës.
Megjithatë, Haradinaj e Lahi Brahimaj nuk ishin gjetur përgjegjës për kryerjen e këtij krimi të pretenduar.
“Më 15 apo 16 korrik 1998 ose rreth këtyre datave, pas përpjekjes së tij të pasuksesshme për t’u arratisur nga objekti i UÇK-së në Jabllanicë, Skënder Kuqi u rrah shumë keq dhe më pas u çua në spital ku edhe vdiq. Dhoma është bindur se vdekja e Skënder Kuqit ishte pasojë e (komplikimeve) të lëndimeve të shkaktuara nga rrahjet që pësoi në objektin e UÇK-së në Jabllanicë. Akuza për vrasjen e Skënder Kuqit është vërtetuar”, thuhet më tutje.
“Pal Krasniqi pësoi rrahje të rënda dhe të vazhdueshme në objektin e UÇK-së në Jabllanicë. Dëshmitari 6 e pa për herë të fundit në objektin e UÇK-së në Jabllanicë, më 25 korrik 1998. Kufoma e tij u gjet në shtator 1998, në kanalin e liqenit të Radoniqit me lëndime në kokë, trup dhe duar, të shkaktuara nga armë zjarri. Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë lidhur me rrethanat e vdekjes së tij. Në rrethana të tilla, Dhoma nuk mund të konkludojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se është vërtetuar akuza e vrasjes së Pal Krasniqit”, bëhet e ditur në aktgjykim, transmeton Nacionale.
Të njëjtit viktima përmenden edhe në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.