A ndryshojnë qëndrimet e Listës Studentore në Serbi nga ato të Vuçiqit në raport me Kosovën?

- Advertisement -
Lëvizja studentore që po sfidon pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi nuk ka qëndrime shumë të ndryshme nga presidenti serb sa i përket Kosovës. Dokumentet programore, memorandumet dhe deklaratat e kandidatëve të Listës Studentore tregojnë se kjo lëvizje, ndonëse kërkon ndryshime rrënjësore politike në Serbi, vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit serb. Madje, disa prej përfaqësuesve të saj e kritikojnë Vuçiqin se ka bërë shumë lëshime ndaj Prishtinës.

Lista Studentore, e njohur me sloganin “Studentët fitojnë”, është shndërruar në një nga sfidat më serioze politike për pushtetin e Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, një shqyrtim i deklaratave të përfaqësuesve të saj dhe dokumenteve politike tregon se kundërshtimi i regjimit aktual nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës shtetërore serbe ndaj Kosovës, transmeton Periskopi.

Më 17 maj 2026, lëvizja studentore publikoi një memorandum për Kosovën, në të cilin përcaktoi disa prej parimeve të saj politike.

Në dokument, Kosova përshkruhet si pjesë e patjetërsueshme dhe përbërëse e Republikës së Serbisë. Memorandumi e trajton çështjen e Kosovës jo vetëm si problem territorial dhe kushtetues, por edhe si element themelor të identitetit kombëtar serb.

Studentët argumentojnë se Kosova përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë historike, kulturore dhe fetare serbe, duke e lidhur mbrojtjen e saj me vazhdimësinë e identitetit kombëtar.

Megjithatë, dokumenti mbështet edhe zgjidhjen paqësore përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, pa ofruar ndonjë propozim konkret për kompromis mbi statusin e Kosovës.

Memorandumi është raportuar nga gazeta serbe Danas.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Ilija Srdanović, bartësi i Listës Studentore.

Në një intervistë për BBC në gjuhën serbe, në shtator të këtij viti, ai deklaroi se qëndrimi i listës për Kosovën përcaktohet nga Kushtetuta e Serbisë.

Sipas tij, Kosova është pjesë integrale e territorit serb dhe Lista Studentore do ta respektojë këtë përcaktim kushtetues.

Deklaratat e Srdanovićit shkaktuan polemika në mediat serbe, ku disa prej tyre pretenduan se ai kishte përdorur formulime që nënkuptonin njohjen e Kosovës si shtet.

Megjithatë, organizata për verifikimin e fakteve Istinomer konstatoi se deklaratat ishin paraqitur jashtë kontekstit dhe se Srdanović kishte mbrojtur qëndrimin kushtetues të Serbisë.

Një qëndrim disi më pragmatik u shpreh më 13 tetor nga Aleksandar Baucal, përfaqësues i Listës Studentore.

Gjatë një debati në televizionin publik serb RTS, Baucal deklaroi se statusi i Kosovës është çështje negociatash.

Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e Ana Bërnabiqit, e cila kundërshtoi mundësinë e negocimit të statusit, duke këmbëngulur se Kosova është pjesë e Serbisë.

Megjithatë, Baucal nuk mbështeti njohjen e pavarësisë së Kosovës, por la të kuptohej se çështja mund të trajtohet në kuadër të negociatave politike.

Ky dallim dëshmon se brenda Listës Studentore ekzistojnë qasje të ndryshme për mënyrën e trajtimit të Kosovës, ndonëse dokumentet e saj nuk parashohin njohjen e pavarësisë.

Më 20 tetor, Lista Studentore publikoi një dokument të ri programor me titullin “Çfarë do të bëjnë studentët për Kosovën dhe Metohinë?”.

Sipas raportimit të Radio Kim, dokumenti parashikon vazhdimin e dialogut për Kosovën, por duke respektuar, sipas formulimit të listës, integritetin territorial të Serbisë.

Një ndër propozimet kryesore është krijimi i njësive të vetëqeverisjes lokale me autonomi sa më të gjerë për vendbanimet me shumicë serbe.

Lista kërkon gjithashtu ruajtjen e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë, forcimin e lidhjeve të tyre me Serbinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare serbe.

Këto propozime tregojnë se lëvizja studentore synon ruajtjen e ndikimit institucional të Beogradit në Kosovë, ndonëse mbetet e paqartë se si do të realizohej kjo brenda rendit juridik të Kosovës.

Një nga qëndrimet më të ashpra është shprehur nga Jugoslav Gašić, profesor dhe kandidat i Listës Studentore nga Mitrovica e Veriut.

Në një intervistë për Danas, më 18 tetor, ai deklaroi se një qeveri e ardhshme e Listës Studentore duhet të shqyrtojë të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Gašić propozoi krijimin e ekipeve të ekspertëve që do të analizonin mundësinë e rishikimit të marrëveshjeve ekzistuese.

Ai ka kritikuar ashpër Vuçiqin, duke e akuzuar se gjatë qeverisjes së tij Serbia ka humbur kontrollin mbi policinë, gjyqësorin, kadastrën dhe institucione të tjera në Kosovë.

Sipas Gašićit, pushteti serb ka përdorur retorikën patriotike për të mbuluar lëshimet e bëra në negociatat me Prishtinën.

Një tjetër përfaqësues i Listës Studentore, Saičić, gjatë një paraqitjeje në RTS më 20 tetor, e cilësoi Kosovën si territor përkohësisht të okupuar.

Për Kosovën, dallimi ndërmjet Listës Studentore dhe pushtetit aktual serb nuk qëndron te njohja e pavarësisë, të cilën të dyja palët e kundërshtojnë, por te mënyra e trajtimit të marrëveshjeve dhe marrëdhënieve me Prishtinën.

Përderisa Vuçiqi ka pranuar marrëveshje që kanë mundësuar integrimin e disa institucioneve serbe në sistemin e Kosovës, përfaqësues të Listës Studentore kërkojnë rishikimin e këtyre proceseve.

Kjo krijon një paradoks politik: lëvizja që kërkon demokratizimin e Serbisë dhe largimin e Vuçiqit mund të përfaqësojë qëndrime po aq të ashpra, e në disa raste edhe më nacionaliste, ndaj Kosovës.

Për Kosovën mesazhi është i qartë: largimi eventual i Vuçiqit nga pushteti nuk garanton ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës. Një qeveri e Listës Studentore mund të sjellë ndryshime në mënyrën e qeverisjes së Serbisë, por deklaratat dhe dokumentet e deritanishme nuk tregojnë gatishmëri për ta pranuar shtetësinë e Kosovës./Periskopi/

Të ngjashme

Të fundit