Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot një mbledhje të radhës, ku në fokus të diskutimeve janë dy vendime për subjektet politike në vend, rekomandimi për pezullimin e një partie dhe regjistrimin e një tjetre.
Mbledhja është paralajmëruar të nisë në orën 13:30, ku fillimisht anëtarët e KQZ-së do të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin e mbledhjes së kaluar.
Pas kësaj pike procedurale, KQZ do të kalojë në shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e partisë politike “Kosovski Savez”.
Ndërkohë, pjesa më delikate e mbledhjes pritet të jetë shqyrtimi i rekomandimit për pezullimin e partisë politike “Kosova Adalet Turk Partisi”.
Deri në këto momente, nuk janë bërë publike arsyet që kanë çuar në këtë propozim për pezullim.