Zgjedhja e Alfred Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika – si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Beleri, kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës në Shqipëri, por i dënuar me dy vjet burgim për vjedhje votash, fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Në shoqatën e minoritetit grek në Shqipëri “Omonia”, megjithatë, besojnë se çështjet e tij ligjore në Shqipëri do të zgjidhen përpara konstituimit të Parlamentit Evropian.

Beleri, sipas mediave greke, renditet i katërti mes shtatë deputetëve që siguroi Demokracia e Re e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Sipas raportimeve të tyre, ai mori pjesë përmes video-lidhjes nga burgu në një takim të Mitsotakisit me eurodeputetët e zgjedhur, që u mbajt të martën.

Kush është Alfred Beleri?
Alfred Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë – në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash.

Pavarësisht se ishte në paraburgim atëkohë, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua kurrë.

Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burgim, por vendimi u apelua nga avokatët e tij.

Beleri gjatë gjithë kohës i mohoi akuzat.

Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor.

A është problematike zgjedhja e Belerit deputet i PE-së?
Ministria e Jashtme greke nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë pret tani në lidhje me zgjedhjen e Belerit. Ngjashëm as partia e kryeministrit grek, Demokracia e Re.
REL-i kërkoi edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta komentojë zgjedhjen e tij, por ai nuk pranoi.

“Unë nuk kam asnjë koment për të. Unë jam në Prishtinë”, tha Rama më 10 qershor, teksa po merrte pjesë në një ngjarje për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“… për fat, një nga gjërat që akoma nuk mund të bëjmë në këtë rast – edhe një hall më pak – është të merremi me zgjedhjet e Parlamentit Evropian, sepse nuk jemi akoma në Bashkimin Evropian. Kështu që, kur të shkojmë në BE, kur të kemi zgjedhje për Parlamentin Evropian, do ta kuptojmë më mirë se si janë këto punë”, deklaroi Rama.

Në të kaluarën, Rama i ka hedhur poshtë pretendimet e Belerit dhe të pakicës greke në Shqipëri se rasti kundër tij është politik. Sipas Ramës, ai është thjesht çështje e drejtësisë.

Juristi dhe ish-nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri, Kreshnik Spahiu, sheh kontradiktë në zgjedhjen e Belerit për dy poste të ndryshme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe presidenti duhet të kishin shpallur zgjedhje të parakohshme në Himarë, pasi Demokracia e Re e shpalli [Belerin] kandidat. Sepse, Ligji për qeverisjen vendore e përcakton kështu”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Aktualisht, [Beleri] prezumohet i pafajshëm, pasi nuk ka vendim të formës së prerë. Mendoj se procesi penal duhet të përshpejtohet dhe Gjykata e Apelit të shprehet nëse është fajtor apo i pafajshëm”, shton ai.