Një qytetar është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë vetëm e vetëm se lopa e tij hyri në oborrin e Gjykatës në Graçanicë dhe shkaktoi “dëme” minimale në gjelbërim.
Vendimin për ndalimin e 59-vjeçarit, me inicialet H.M, e mori prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta.
Rasti ndodhi të premten e 13 nëntorit, në oborrin e Degës së Gjykatës Themelore në Graçanicë.
Rreth orë 16:00, Policia u njoftua se një lopë kishte hyrë në hapësirat e Gjykatës. Kjo bëri që në vendin e ngjarjes të dalin zyrtarët policorë dhe aty takojnë gjyqtarin Sinisha Borisavljeviç dhe pronarin e lopës, H.M.
Gjyqtari dhe qytetari u dërguan në stacionin e Policisë në Graçanicë për të dhënë deklarata.
Siç raporton Sinjali, gjyqtari deklaroi se punonjësit e sigurimit i kishin larguar kafshët atë ditë tri-katër herë, derisa ka pretenduar se raste të tilla kanë ndodhur edhe më parë.
Qytetari nga ana tjetër, ka deklaruar gjatë intevristimit se lopa i kishte humbur dhe kjo ka qenë hera e parë që ajo ka hyrë në oborrin e Gjykatës së Graçanicës.
Por, përkundër deklaratës së tij, prokurori Igrishta mori vendim që qytetari të ndalohet për 48 orë, duke i iniciuar rast për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Pasi që opinioni publik u njoftua me këtë ngjarje aspak të zakontë, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se pronari i lopës është liruar.
Nga organi i akuzës theksuan se ndaj qytetarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe së i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
“Ju njoftojmë se lidhur me rastin, është iniciuar procedurë penale për veprën penale ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’ nga neni 321 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa procedurat lidhur me këtë rast, do të zhvillohen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, kanë thënë nga Prokuroria për Sinjalin.
Pra, vetëm pse lopa hyri për të kullotur në objektin e Gjykatës, qytetari privohet nga e drejta më themelore e njeriut: liria.





