Një tifoz i Manchester United po bëhet gjithnjë e më i dëshpëruar, pasi ka kaluar 752 ditë pa i prerë flokët, duke pritur që skuadra e tij të fitojë pesë ndeshje radhazi.
Frank Ilett, i njohur në rrjetet sociale si tifoz i zjarrtë i “Djajve të Kuq”, e nisi këtë sfidë më 5 tetor 2024.
Ai premtoi se nuk do të shkonte te berberi derisa Manchester United të arrinte pesë fitore radhazi.
Megjithatë, pritja vazhdon. Humbja 3-0 ndaj Bournemouthit në “Old Trafford” e thelloi krizën e skuadrës, e cila tashmë ka tetë ndeshje radhazi pa fitore, me pesë humbje dhe tri barazime.
Ilett ka pranuar se nuk e kishte menduar që kjo sfidë do të zgjaste kaq shumë.
“Mendoja se do të zgjaste tre ose katër muaj, por ka vazhduar shumë më gjatë nga sa prisja. Nuk e di edhe sa mund të duroj”, deklaroi ai.
Tifozi bëri edhe një koment me humor për gjendjen e tij: “Flokët i kam të pista, kundërmojnë erë dhe e dashura do të më lërë”.
Manchester United renditet në vendin e 16-të në Premier League, vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga liga.
Herën e fundit që skuadra arriti pesë fitore radhazi ishte në shkurt të vitit 2024, nën drejtimin e Erik ten Hag.
Për Ilett, mbetet vetëm një pyetje: A do të arrijë Manchester United pesë fitore radhazi, apo do t’i soset më parë durimi tifozit të famshëm?






