Kongresisti amerikan Joe Wilson ka kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta në Serbi, duke akuzuar regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq se po përpiqet të manipulojë procesin zgjedhor.
Në një reagim në platformën X, Wilson ka mirëpritur një deklaratë të senatorëve amerikanë Jeanne Shaheen, Roger Wicker, Dick Durbin, Chuck Grassley, Chris Murphy, Joni Ernst dhe Thom Tillis, të cilët kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta në Serbi, të parapara të mbahen më 25 tetor.
“Regjimi i Vuçiqit po përpiqet në mënyrë agresive t’i manipulojë zgjedhjet, duke përdorur çdo truk të pistë të mundshëm”, ka shkruar Wilson.
Ai ka theksuar se qytetarët serbë meritojnë zgjedhje të lira dhe të drejta, ndërsa ka bërë thirrje për miratimin e projektligjit SRBIJA Act.
Deklarata e Wilsonit vjen në kuadër të shqetësimeve të shprehura nga zyrtarë amerikanë për proceset demokratike dhe standardet zgjedhore në Serbi.






