28 dhjetor – 7 qershor: 180 mijë vota më pak – rënie e VV-së, të tjerat ngritën

- Advertisement -

Nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, e deri në këto të 7 qershorit 2026, kaluan hiç më shumë se 5 muaj, apo 161 ditë.

Por, ndonëse ka kaluar kohë e shkurtër, dallimi në rezultate mes këtyre dy datave është i ndjeshëm, fillimisht kah dalja e qytetarëve.

Në dhjetor, sipas rezultateve preliminare aso kohe, kishin votuar 906.754 qytetarë, apo, 45.36%.

Ndërsa, më 7 qershor, kur u numëruan të gjitha kutitë, doli se kanë votuar veç 726.071 qytetarë, me pjesëmarrje prej 37.05% – rreth 180 mijë vota më pak në total.

Dalja e ulët e votuesve, reflektoi ndjeshëm edhe në rezultatet e partive, sidomos tek Vetëvendosje, si në vota, edhe në përqindje.

Bazuar ne rezultatin preliminar, pa llogaritur ende diasporën, Vetëvendosje i mori 299.152 vota, apo 42.91%. Krahasuar me rezultatin e dhjetorit, ka rënë për rreth 135 mijë vota meqë atë kohë kishte 433 mijë e 394 vota.

Më pak vota në krahasim me zgjedhjet e fundit, mori edhe PDK, por, përqindja iu rrit dhe vazhdon të ruaj pozitën e dytë edhe në këtë zgjedhje.

Më 7 qershor, PDK, i mori 147.325 vota, apo 21.13%. Ndërsa, në dhjetor, i kishte 184.318 vota, por 20.98%.

Ndonëse u bashkuan me Vjosa Osmanin, LDK sipas rezultatit aktual i mori veç 3 mijë e 435 vota më shumë, por përqindja iu rrit, madje ndjeshëm.

Të dielën, LDK-në e votuan 122.636 qytetarë, apo me përqindje, 17.58. Ndërsa, në dhjetor, i kishte marrë 119.201 vota, apo 13.57%.

Dallimi i madh në përqindje por i ulët në numrin real të votave, shpjegohet sepse numri i votuesve dje ishte dukshëm më i ulët sesa në dhjetor.

Bazën e mbështetjes, e ruajti edhe Aleanca, ndonëse tash e ndryshoi emrin, dhe liderin.

Të dielën i mori 49.917 mijë vota, apo 7.16%. Ndërsa në dhjetor, i kishte afro 300 vota më pak, 49.698 mijë vota, apo 5.66%.

Bazuar në këto rezultate, pak a shumë është kuptuar edhe numri i mandateve në Kuvend.

Vetëvendosje, pritet t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 ndërsa AAK 8.

Por, ditëve në vazhdim rezultati mund të ndryshojë në një përqindje të vogël, për secilin subjekt, meqenëse ende nuk janë numëruar edhe rreth 100.000 vota të diasporës.

Të ngjashme

Të fundit