Dënimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë ka marrë vëmendjen e mediave të mëdha ndërkombëtare.
BBC raportoi se Thaçi, u shpall fajtor për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës, përfshirë vrasje, arrestime të paligjshme, torturë dhe trajtim mizor.
Sipas BBC-së, disa prej akuzave të tjera ndaj tij nuk u provuan.
Edhe CNN raportoi për aktgjykimin, duke theksuar se Thaçi u dënua për katër pika të krimeve të luftës: vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar.
CNN, shkruan se Thaçi u përball me akuzat së bashku me tre ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjithashtu për reagimet në Kosovë pas aktgjykimit, përfshirë tubimet e qytetarëve në Prishtinë dhe reagimet e mbështetësve të ish-krerëve të UÇK-së.






