Sindikata e re e KEK-ut: Katër jetë të humbura, nuk mjaftojnë reagimet pas tragjedive

- Advertisement -

 

Sindikata e re e KEK-ut ka reaguar pas aksidenteve tragjike në vendin e punës, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të kalojnë nga reagimi pas ngjarjes te parandalimi i saj.

Sipas sindikatës, vetëm gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.

Në reagimin në Facebook, thuhet se pas çdo rasti tragjik ka pasur ngushëllime dhe premtime për masa, por sindikata ngre shqetësimin se institucionet po reagojnë vetëm pasi ndodh tragjedia.

“Problemi është se nuk po u paraprihet situatave të rrezikshme. Nuk po ndërtohet një sistem që e identifikon dhe eliminon rrezikun para se ai të marrë jetë. Presim të ndodhë aksidenti, pastaj reagojmë, bëjmë deklarata dhe pas një kohe gjithçka harrohet – deri në tragjedinë e radhës. Ne mendojmë se kjo nuk është vetëm çështje e sigurisë teknike. Është edhe çështje e menaxhimit dhe kulturës së punës në KEK”, thuhet në reagim.

Sindikata e cilëson sigurinë në punë edhe si çështje të menaxhimit dhe kulturës së punës, duke thënë se punëtorët duhet të ndihen të lirë të raportojnë kushtet e pasigurta pa frikë nga pasojat.

“Një menaxhim që bazohet më shumë në presion, frikë dhe masa ndëshkuese sesa në komunikim, motivim dhe respekt ndaj punëtorit, mund të quhet lirshëm menaxhim represiv dhe jo motivues. Punëtori që punon në kushte të rrezikshme duhet të ketë siguri se mund të thotë: “Kjo punë është e pasigurt”, pa u frikësuar nga pasojat. Punëtori duhet të dëgjohet para se të ndodhë aksidenti, jo vetëm të kujtohet pasi të ndodhë tragjedia”.

“Siguria nuk fillon pas aksidentit. Siguria fillon para tij. Menaxhmenti, Bordi, ministria dhe të gjitha strukturat përgjegjëse duhet të kalojnë nga reagimi pas ngjarjes te parandalimi para ngjarjes. Katër jetë të humbura vetëm brenda një viti duhet të jenë alarm serioz për të gjithë. Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti nuk duhet të bëhen vetëm pjesë e një komunikate ngushëllimi dhe më pas të harrohen. Kujtimi për ta duhet të shndërrohet në përgjegjësi, masa konkrete dhe ndryshim të mënyrës së menaxhimit të sigurisë dhe të punëtorëve.  Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, thuhet në reagimin e Sindikatës së re të KEK-ut./Klankosova.tv

 

Të ngjashme

Të fundit