Zjarr i madh në fushat pranë Varrezave të Qytetit, Komuna thotë se disa shtëpi ishin në rrezik – kanë edhe një apel

- Advertisement -

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka njoftuar se është lokalizuar zjarri i madh fushor që shpërtheu pasditen e sotme në afërsi të Varrezave të Qytetit.

Sipas Drejtorisë, zjarri, i shkaktuar nga djegia e hamulloreve, përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme dhe rrezikoi disa shtëpi në zonën përreth, ndërsa shkaktoi dëme materiale në parcela bujqësore, pemishte dhe objekte përcjellëse.

Drejtoria ka bërë të ditur se falë reagimit të shpejtë të Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, zjarri u lokalizua dhe u parandalua përhapja e tij drejt shtëpive të banimit.

Njëkohësisht, ajo ka apeluar te qytetarët që të mos ndezin hamullore, barishte apo mbetje në hapësira të hapura, duke paralajmëruar se një pakujdesi e tillë mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe të rrezikojë jetën e pronën e qytetarëve. /Gazeta Express

Njoftimi i plotë:

Lokalizohet zjarri i madh fushor pranë Varrezave të Qytetit

Sot pasdite, në afërsi të Varrezave të Qytetit, si pasojë e djegies së hamulloreve, është përhapur një zjarr i madh fushor, i cili ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe ka rrezikuar seriozisht disa shtëpi në zonën përreth.

Zjarri ka shkaktuar dëme materiale në parcela bujqësore, pemishte dhe objekte përcjellëse. Megjithatë, falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes profesionale të Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe është parandaluar përhapja e mëtejshme drejt shtëpive të banimit.

Mirënjohje dhe falënderim për zjarrfikësit tanë, të cilët edhe një herë dëshmuan përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri në mbrojtje të jetës, pronës dhe mjedisit.

Apelojmë fuqishëm te të gjithë qytetarët që të mos ndezin hamullore, barishte apo mbetje në hapësira të hapura. Në kushtet aktuale, një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe të rrezikojë drejtpërdrejt jetën dhe pronën e qytetarëve.

 

Të ngjashme

Të fundit