Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë kundërpyetjeve të tij, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson i tha dëshmitarit Bislim Zyrapi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e kishte pyetur nëse i kujtohet ndonjë rast kur Veseli t’i ketë thënë ndonjëherë atij për ndonjë kolaboracionist-individ i cili e kishte arrestuar ose do të duhej ta arrestonte.
Më pas, Emmerson i tha dëshmitarit se ai ishte përgjigjur se Veseli nuk kishte arrestuar për çka kërkoi edhe konfirmimin e dëshmitarit lidhur me këtë deklaratë.
Mirëpo, përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua, por u pa teksa pohonte me kokë dhe fliste diçka.
Me kaq përfunduan pyetjet e avokatit Emmerson për të vazhduar më pas mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts.
Zyrapi thotë se e kishte emëruar dikë tjetër në sektorin e ZKZ-së në kohën kur Veseli s’ishte në Kosovë
Zyrapi tha se në kohën kur Veseli ishte jashtë Kosovës, në detyrat e sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ), e kishte caktuar Mensur Kasumin.
Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson.
Fillimisht, Emmerson e pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë që i ishin drejtuar ankesa sa i takon mungesës së një shërbimi të zbulimit brenda Kosovës në kohën kur Veseli ishte jashtë.
Këtë gjë, e pohoi edhe Zyrapi duke konfirmuar se para mbërritjes së Kasumit nuk ishte askush që të bënte diçka në lidhje me ZKZ-në në Shtabin e Përgjithshëm, ndërkohë që Veseli ishte jashtë.
Zyrapi tha se nga Kasumi kishte marrë informata vetëm për lëvizjen e forcave serbe.
Ndërsa, Emmerson e pyeti dëshmitarin nëse arsyeja e emërimit të Kasumit kishte të bënte me faktin se shërbimi i sigurimit nuk ishte në gjendje të kujdesej nga jashtë.
“Nuk është veç arsye e kësaj, këtij shkrimi në këtë kohë se zotëri Kasumin me ardhjen në Shtabin e Përgjithshëm e kam drejtu në këtë drejtim që të jepte informacione për G2-shin ose sektorin e Zbulimit-Kundërzbulimit, nuk kam pas askënd tjetër. Meqenëse ai ka pas përvoja dhe mund ta bënte këtë detyrë dhe e ka ushtru këtë detyrë. Deri sa nuk është kthye zotëri Veseli dhe faktikisht deri kur nuk është bërë ndryshimi i Shtabit dhe kalimi i Veselit prej Shtabit në pjesën civile, faktikisht në Shërbimin Informativ të Kosovës”, u përgjigj dëshmitari.
Pastaj, tha se janë vendosur edhe të tjerë të cilët kanë vazhduar në drejtimin në Shtabin e Përgjithshëm.
“Por, deri në atë kohë, prej janarit të cilin Kasumi është transferu në Shtabin e Përgjithshëm përveçse ka qenë drejtor, e ka kry edhe këtë detyrë për arsye se nuk kemi pas kuadra të tjera, nuk kemi pas resurse tjera që të vendoset”, u përgjigj dëshmitari.
Ai gjithashtu shtoi se Veseli nuk ia kishte lënë asnjë zëvendës që ta kryente detyrën e tij në kohën kur ai ishte jashtë vendit.
“Të paktën mua, zotëri Veseli nuk më ka lënë dikë që ka qenë brenda si zëvendës apo që kryen detyrën e tillë. Kjo është përcaktuar atëherë dhe ai e ka kryer këtë detyrë. Jo veç këtu po ka pas mungesë edhe në vende të tjera, por edhe kërkesat e komandantëve kanë qenë të shpeshta”, tha ai.
Më pas, Emmerson pyeti dëshmitarin se a e kishte caktuar vetë ai që Kasumi t’i kryente këto detyra, e që dëshmitari e pohoi një gjë të tillë.
Më pas, Emmerson tha se në deklaratën e tij, Kasumi kishte thënë se i kujtohet që kur është takuar me Veselin ka qenë pasi ky i fundit ishte kthyer në Kosovë në mars.
Ndryshe, Emmerson tha se planifikon që kundërpyejet e tij t’i përfundojë para pushimit të orës 11:00. Mbrojtja e Selimit tha se i duhen rreth pesë orë e gjysmë për kundërpyetje, kurse ajo e Krasniqit tha se mund t’i duhen rreth tetë orë.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, duke përfshirë edhe Krasniqin i cili herë pas here seancën e përcjellë përmes videolidhjes.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Betimi për Drejtësi.