Sport

Zvicra pa Xherdan Shaqirin në Serbi

By GAZETA SCANNER 1

March 20, 2023

Xherdan Shaqiri do të mungojë për Zvicrën në dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 këtë muaj, për shkak të një lëndimi muskulor.

Kombëtarja helvetike i thirri tre shqiptarë të Kosovës në ekipin e vet kombëtar për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Bjellorusisë dhe Izraelit.

Zvicra është në një grup me Kosovën, por nuk do të përballet me dardanët në mars.

Shaqiri, që ishte ftuar bashkë me Granit Xhakën dhe Andi Zeqirin, nuk mundi t’i bashkohej ekipit të hënën pasi e pësoi një tërheqje muskulore (hamstring), njoftoi Zvicra.

“Xherdan Shaqiri nuk do të jetë në gjendje t’i bashkohet ekipit kombëtar për shkak të telasheve muskulore. Asnjë lojtar nuk do ta zëvendësojë atë”, njoftoi kombëtarja helvetike në Twitter.

Ylli i Chicago Fire është ndër lojtarët më të rëndësishëm të Zvicrës dhe mungesa e tij do të jetë një kokëçarje për trajnerin Murat Yakin.

Zvicra e hap fushatën kualifikuese kundër Bjellorusisë më 25 mars në Novi Sad të Serbisë, për shkak se UEFA ia ndaloi shtetit fqinj të Rusisë t’i luajë ndeshjet si vendas në vendin e vet për shkak të luftës në Ukrainë.

Tri ditë më vonë, favoriti i Grupit I kualifikues e pret Izraelin, rivalin e drejtpërdrejt të Kosovës për vendin e dytë.

Kosova dhe Zvicra nuk përballen deri në dy xhirot e fundit të fazës grupore, pra në shtator dhe nëntor.

Yakin e ka ftuar befasisht këtë herë edhe Andi Zeqirin, për të cilin nuk kishte vend në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe në Kupën e Botës vitin e kaluar.

Zeqiri, qëkur zgjodhi helvetikët duke ia shkelur zotimin që ia kishte thënë Kosovës, ka luajtur vetëm në katër ndeshje zyrtare në kombëtare helvetike.

Ai po luan tani për Baselin në Superligën zvicerane në huazim nga klubi i Premierligës Brighton.

23-vjeçari i ka bërë 14 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat për klubin zviceran.

Yakin e ka ftuar befasisht këtë herë edhe Andi Zeqirin, për të cilin nuk kishte vend në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe në Kupën e Botës vitin e kaluar.

Ardon Jashari, një tjetër lojtar premtues që mund të vinte te Kosova dhe përfundoi te Zvicra, nuk u ftua nga Yakin për këto dy ndeshje.