Paralamenti i Zvicrës ka vendosur ta zgjasë misionin e Ushtrisë Zvicerane në Kosovë deri në vitin 2029. Parlamenti gjithashtu i dha Këshillit Federal më shumë fleksibilitet për të rritur numrin e trupave nëse paraqitet nevoja.
Këshilli Kombëtar e miratoi zgjatjen e mandatit me 129 vota pro dhe 61 kundër.
Të gjitha grupet parlamentare, përveç SVP-së, mbështetën vazhdimin e pjesëmarrjes së Ushtrisë Zvicerane në Forcën Ndërkombëtare të Kosovës (KFOR), të udhëhequr nga NATO.
Veprim në interes të Zvicrës
Siç raporton Nau.ch, deputetët kanë deklaruar se situata në terren e kërkon një gjë të tillë.
“Veriu i Kosovës mbetet i brishtë, ndërsa dezinformimi rus është në rritje. Destabilizimi i rajonit do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për vendin tonë”,deklaroi deputetja Isabelle Chappuis.
Ndërkaq, Maja Riniker theksoi se“angazhimi është në interes të sigurisë dhe politikës migratore të Zvicrës”. Sipas shumicës së deputetëve, një destabilizim i Ballkanit Perëndimor do të rriste ndjeshëm presionin migrator ndaj Zvicrës.
Nga ana tjetër, Partia Popullore Zvicerane (SVP) pretendoi se misioni është i kushtueshëm dhe se vende të tjera po tërhiqen gradualisht nga Kosova.
“Jemi të angazhuar në Kosovë me KFOR-in prej 27 vitesh. Të gjitha vendet po largohen gradualisht nga ky mision”, tha deputeti Mauro Tuena, duke shtuar se edhe Zvicra duhet të veprojë njësoj.
Deputeti Bruno Walliser theksoi se pas kaq shumë vitesh, përgjegjësia duhet t’u kalojë autoriteteve lokale. Sipas tij, fondet e shpenzuara për këtë operacion duhet të përdoren për projekte të pajisjes së Ushtrisë Zvicerane.
“Duke pasur parasysh sfidat aktuale të sigurisë, Ushtria Zvicerane nuk duhet t’i angazhojë burimet e saj jashtë vendit”,deklaroi ai.
Më shumë hapësirë veprimi për Këshillin Federal
Projektligji do të rikthehet në dhomën tjetër parlamentare për shkak të një dallimi qëndrimesh. Këshilli Kombëtar dëshiron që Këshilli Federal të ketë mundësinë të dërgojë deri në 85 ushtarakë shtesë në Kosovë për një periudhë të pacaktuar, nëse kjo bëhet e nevojshme.
Ndërkohë, Këshilli i Shteteve kishte miratuar gjatë sesionit pranveror vetëm një përforcim maksimal prej 30 ushtarakësh.
Edhe këtë zgjerim deputetët e SVP-së e kundërshtuan, duke kërkuar heqjen e dispozitës përkatëse, por pa sukses.
Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, e përshëndeti këtë fleksibilitet më të madh, duke deklaruar se:
“KFOR-i është i vetmi instrument sigurie që njihet dhe pranohet nga të gjitha palët. Kontributi i Zvicrës është i rëndësishëm dhe mbetet i nevojshëm.”
Ai shtoi se Sëisscoy përfaqëson “kontributin më të rëndësishëm të Zvicrës në ruajtjen ushtarake të paqes”.
Që nga viti 1999, Ushtria Zvicerane merr pjesë në KFOR me kontingjentin Sëisscoy. Deri më tani, numri maksimal i ushtarakëve ka qenë 215, por tani mund të arrijë në 300. Mandati aktual skadon në fund të vitit 2026 dhe, sipas ligjit, vazhdimi i misionit kërkon miratimin e parlamentit.






