Zv.kryeministri shqiptar në RMV thotë se u krye çështja e provimit të jurisprudencës në shqip, s’tregon a do të jetë siç tha Mickoski

- Advertisement -

Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali njoftoi se Qeveria në Shkup e ka miratuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po bëhet realitet! Sot, në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ligjit iu dha drita e gjelbër!”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Pas 35 vitesh pritje, një e drejtë e merituar po bëhet realitet. E premtuam, punuam dhe po e realizojmë!”, shtoi ai.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se provimi i jurisprudencës nuk do të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe, pasi pjesa praktike do të zhvillohet në maqedonisht.

Mickoski tha se kandidatët do të mund ta japin pjesën që lidhet me studimet e tyre në gjuhën në të cilën kanë studiuar, përfshirë shqipen, turqishten dhe anglishten. Ndërsa pjesa ku simulohen procedurat penale dhe civile do të zhvillohet në maqedonisht.

“Zgjidhja që do t’i ofrohet Qeverisë në seancë përmban dy pjesë: pjesa e parë thotë se studentët do të kenë mundësi që pjesën e cila lidhet me studimet e tyre deridiplomike në gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase që nënkupton në shqip, turqisht dhe anglisht, të testohen në gjuhën në të cilën kanë studiuar. Në pjesë ku simulohet procesi gjyqësor në pjesën e procedurës penale dhe procedurës civile do të jetë në përputhje me linjën maqedonase dhe kjo nënkupton se sistemi gjyqësor mbetet në linjën e gjuhës maqedonase sepse ajo lidhet me sundimin e ligjit dhe jo me të drejta të tjera ose veprime politike që ndërlidhen me atë”, deklaroi ai

Të ngjashme

Të fundit