28.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

ZKA: Katër ndërmarrje publike e RTK-ja me mangësi në fushën e raportimit financiar

- Advertisement -

Në një njoftim të ZKA-së thuhet se rezultatet e auditimit tregojnë se këto institucione publike kanë mangësi të theksuara si në fushën e raportimit financiar po ashtu edhe në kuadrin e pajtueshmërisë ligjore.

“Për shkak të dobësive të identifikuara në raportim financiar për vitin 2023, katër  prej tyre kanë opinion auditimi të modifikuar dhe një të pamodifikuar”, thuhet në njoftim.

Bazuar në gjetjet e auditimit ZKA-ja ka dhënë opinion të kundërt për kompaninë rajonale të mbeturinave ”Uniteti” si dhe konkluzion të kualifikuar të pajtueshmërisë.

“Ndërsa Radio Televizionit të Kosovës i është kualifikuar edhe opinioni i auditimit edhe konkluzioni i pajtueshmërisë. Kurse ndërmarrja publike hidroekonomike ‘Ibër – Lepenc’ e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Edhe ndërmarrja hekurudhat e Kosovës – ‘Infrakos’ e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Ndërsa Ndërmarrja Publike Banesore e ka të pamodifikuar opinionin e auditimit kurse konkluzionin e pajtueshmërisë e ka të kualifikuar”, thuhet në njoftim.

Procesi i auditimit në këto institucione ka evidentuar mangësi te Sistemi informativ i kontabilitetit dhe në shënimet shpjeguese si dhe dobësi tek të hyrat operative.

“Ndërsa te llogaritë e arkëtueshme dhe të pagueshme është hasur në mbivlerësim të llogarive të arkëtueshme, mos harmonizimi në mes të shënimeve kontabël të llogarive të arkëtueshme dhe letër konfirmimeve, prezantim i llogarive të arkëtueshme të paidentifikuara, mbivlerësim i detyrimeve tatimore  ndaj  ATK-së, si dhe detyrimeve tjera afatshkurtra, mos prezantimi i saktë i obligimeve në regjistrin e kompanisë, nënvlerësim i detyrimeve dhe të hyrave nga grantet si dhe mungesë e të dhënave të plota për grantet”, thuhet në njoftim.

Edhe proceset e prokurimit dhe proceset e rekrutimit thuhet se janë përcjellë me dobësi. Gjithashtu thuhet se janë identifikuar mangësi të tjera në sistemin e kontrollit të brendshëm të shpalosura në raportet individuale të auditimit.

“Me qëllim të përmirësimit të qeverisjes, këtë vit ZKA-ja ka dhënë 33 rekomandime si: për kompaninë rajonale të mbeturinave ‘Uniteti’ janë dhënë dhjetë rekomandime, për NPB-në tetë, për Radio Televizionin e Kosovës shtatë, për ndërmarrjen publike hidroekonomike ‘Ibër – Lepenc’  katër si dhe për ndërmarrjen hekurudhat e Kosovës – ‘Infrakos’ janë dhënë katër rekomandime”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht mangësive të identifikuara, krahasuar me vitin paraprak këto institucione thuhet se kanë shënuar progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve. “Përderisa për vitin 2022 kanë qenë 63 rekomandime këtë vit kemi zvogëlim të numrit të tyre për 30 sosh. Kjo tregon se gjatë vitit 2023 ka pasur një përmirësim të menaxhimit financiar dhe kontrollit si rezultat i veprimeve korrigjuese që janë ndërmarrë nga këto institucione”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit