Kurti para pak ditësh publikoi një video rreth katër minutëshe, prej ku, kërkoi nga diaspora që të votojnë për Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.
Kryeministri do ta bënte një shkrim edhe në rrjetin social Tëitter, aty ku do të kërkonte të votohen socialdemokratët.
“Me afrimin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të diasporës sonë që të ushtrojnë të drejtën e votës. Çdo votë e vetme llogaritet në mbështetjen e politikanëve dhe partive – të tilla si socialdemokratët – që me të vërtetë mbrojnë demokracinë dhe Evropën kundër kërcënimit serioz të së djathtës ekstreme.” – shkroi ai në “X”.
Konjufca: Votoni shqiptarët
Me zgjedhjet në BE, u mor edhe Konjufca. Ndryshe prej shefit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje, Konjufca bëri thirrje që përveç partive proevropiane, të përkrahen veçanërisht kandidatët shqiptar.
Disa prej tyre, ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, i përmendi edhe me emra.
“…prandaj, duke qenë të kësaj rëndësie, zgjedhjet europiane nuk do të jenë të rëndësishme vetëm për shtetet anëtare, por për të gjithë ne. Shumë shqiptarë që janë shtetas e me të drejtë vote në vendet e BE-së duhet të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë proeuropiane, por në veçanti t’i mbështesin kandidatët shqiptarë që sot garojnë nën siglen e shumë partive europiane. Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona. Duke i votuar këta kandidatë, ne do t’i çojmë në Parlamentin Europian përfaqësues që do t’i mbrojnë vetë parimet dhe interesat e Europës, sepse proeuropianizmi i shqiptarëve është në natyrën tonë kombëtare!” – u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Kurti: Unë flas kush duhet mbështetur edhe në BE e ShBA
Para disa ditësh, një ministër i Kurtit – Liburn Aliu – e kritikoi këtë të parin haptas duke e quajtur “gabim” përfshirjen e tij në zgjedhjet në luginë.
Por, shefi i Qeverisë në anën tjetër, u shpreh se ai flet publikisht se ”kë ta mbështes në ShBA e BE e lëre më në Preshevë”.
“Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe merr vendimet në organet e veta. E kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin, aty kanë qenë dy blloqe, dhe jemi përcaktuar ta mbështesim bllokun e Shaip Kamberit. Unë jam kryeministër i Kosovës, dhe kryetar i VV-së, unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në BE e në Amerikë, e lëre më në Ulqin e Preshevë. Por jo vetëm kaq, duhet theksuar se të gjitha partitë në Kosovë e Shqipëri, mbështesin kandidatë të caktuar, unë këtë e bëj hapur, jo vetëm në terren por e bëj publikisht. Është shumë mire.” – tha Kurti.