Në rast se deri më 28 prill deputetët e Kuvendit nuk arrijnë të zgjedhin presidentin, Kosova pritet të hyjë në një proces të ri të zgjedhjeve të parakohshme.E, këto zgjedhje do të ishin një angazhim i ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që gjatë vitit 2025 organizoi zgjedhjet e rregullta për Kuvend të 9 shkurtit, zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përfshirë raundin e dytë për kryetarë komunash më 9 nëntor dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvend më 28 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për EkonomiaOnline se mbajtja e zgjedhjeve të reja në një periudhë kaq të shkurtër përbën sfidë për KQZ-në, por si institucion kushtetues ajo është e obliguar t’i organizojë ato sa herë që kërkohet, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.“Mbajtja e një tjetër procesi zgjedhor, në një interval kaq të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit dhe pas gjithë atyre proceseve zgjedhore të vitit të kaluar, natyrisht se paraqet një ngarkesë dhe sfidë të konsiderueshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe administratën e tij.
Megjithatë, si institucion i përhershëm me përgjegjësi themelore organizimin e zgjedhjeve, KQZ mbetet e përkushtuar të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zhvillimin e çdo procesi të ri zgjedhor, sa herë që kjo kërkohet”, tha Elezi






