Adrian Zeqiri nga Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve ka thënë se kritika që përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i bëri Kosovës, në gjuhën diplomatike është jashtëzakonisht e madhe.
I ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka shtuar se thirrja për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të adresuar një çështje siç është rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është e panevojshme.
Sipas tij, kjo çështje ka mundur të adresohet në mënyrë tjetër në mënyrë me aleatët ndërkombëtarë.
“Të kemi parasysh, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e kritikoi Qeverinë e Kosovës që nuk është koordinuar me aleatët. Kjo në gjuhën diplomatike i bie një kritikë jashtëzakonisht e madhe”, është shprehur Adrian Zeqiri.