Një hile e rrezikshme nga dy mijë faqet e aktgjykimit

- Advertisement -

Aktgjykimi i 16 shtatorit nuk i kishte të papritura vendimet e egra se për to oguret ishin qysh para një viti.

Kur gjyqtari Charles L. Smith III lexonte me çehre të ngrysur, dëmi i madh emocional na bënte që të mos e shihnim para syve tanë një rreng që po bëhej gati.

Selektiviteti i Dhomave të Specializuara më së miri lexohet kur nga dy mijë e kusur faqe tekst të aktgjykimit u nxorën vetëm 40 syresh.

Natyrisht se përmbledhja duhej të bënte maksimumin me mundësitë e kufizuara gjuhësore të idiomës juridike që të linte dykuptimësi, të luante me neutralitet të shtirur e kështu me radhë.

Ishte fare e qartë pse në përmbledhje u veçuan sall dy raste – ai i ‘vrasjes’ së Behajdin Allaqit dhe ndalimi i ‘parlamentarëve’ të LDK-së – si një mënyrë fine për të shkaktuar një zemëratë publik sikur pësimet kryesore ishin viktima shqiptare.

Kur kjo nuk e dha efektin e dëshiruar, zvarritja e publikimit të aktgjykimit lë hapur dyshimin që Dhomat e Specializuara më fort janë në pritje për të krijuar një narracion të ri publik.

Dhjetëra miliona euro të harxhuara e dhjetëra miliona të tjerë në dispozicion synojnë të prekin atë që quhet perceptim publik.

Aktgjykimi në tërësinë e tij, edhe me pjesët e tij të redaktuara, me sa duket do t’i ekspozojë dëshmitarët, mu ata që dikur i ndillte me premtimin se do t’i mbronte me identitete të rreme, kode, adresa fiktive e oferta azili.

Vetë konteksti në shumë raste do t’i nxjerrë zbuluar, nëse jo dëshmitarët, plot nga dëshmitë, burimet e pistat prej nga filluan konstruksionet e mëdha për prosekutim dhe persekutim.

Është herët të mbyllet kronika për Dhomat e Posaçme por unë s’e shmang dot bindjen që ajo më tepër po e përgatit imazhin e saj për të ardhmen.

Duke qenë se ajo nuk i reziston një vëzhgimi kritik për paanësi, me një proces që skandalizoi edhe vetë ambicien për drejtësi tranzicionale, është e nevojshme që gjenden fajtorë gjetkë e të lihen si albini për të ardhmen.

Ata pak proponentë që do ta mbrojnë do të arsyetohen një ditë se Gjykata nisi punën e saj mes vështirësish por nuk e çoi misionin deri në fund sepse mendësitë ballkanike e paskan sprapsur.

Kjo është një nga arsyet pse aktgjykimi i plotë ka të ngjarë të provokojë një hallakamë të pashoqe, e tillë ku tërbimi nga dëshmitë e poshtra do të jetë edhe më i madh sesa vetë dënimet.

Do të mësohet shumë shpejt se përpara dëshmitarëve me fytyrë e pafytyrë, prokurorët në Hagë shërbeheshin me lëndë që në dukje vinte veç nga diatriba që politikanë e deputetë ia flaknin njëri-tjetrit.

Edhe rasti i çuditshëm i aktivistit nga Prizreni, Behajdin Allaqi mund të jetë shembull i kësaj.

Edhe kur të plotësohet tabloja me dëshmi të redaktuara ose të paredaktuara, rasti prapësprapë do të dalë si një prodhim i mitomanisë vendore.

Përveç dëshmive të dobëta me materiale publicistike në medie kryesisht online, secili rast ka fituar status serioz vetëm kur ka gjetur ndonjë zëdhënës qoftë te një deputet a politikan.

Rasti me Allaqin, së paku në mënyrën siç u zhdrivillua, ishte po kështu.

Nëse dëshmitë e shkruara e gojore fillonin veçse me përshkrime në nivel thashethemash, kredibiliteti i munguar u kompensua me faktin që një deputet i VV-së e zëroi në Kuvend duke bërë me gisht dikë.

Nga një pikëpamje disi më moralizuese e jetës, kjo na kthen te e thënmia e vjetër sa vetë historia që armiku i poshtëron të parët vetë renegatët.

Gati dy mijë e pesëqind vjet më parë, Esikili te drama Hepta epi Thēbas (Të Shtatët kundër Tebës) e dha alarmin artistik se si i bëhet varri një shoqërie ku përballë një armiku të jashtme vëllezërit e vrasin njëri-tjetrin. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit