Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në emisionin “DPT Te Fidani”, ka folur për mobilizimin për zgjedhje dhe koalicionet e mundshme kurdo që mbahen ato.
Ai është pyetur nëse mund të ketë koalicion mes Vetëvendosjes, partisë “Guxo” dhe PDK-së. Zemaj ka thënë se nëse ka pajtim për ndarje pozitash, mund të ketë edhe një koalicion të tillë.
“Nëse ka dakordim ndarjesh pozitash, njerëzit që e kanë përgjysmuar partinë e vetë dhe kanë tentuar ta shkatërrojnë, shumë lehtë është me pa një këso kombinimi. Kur ia bën shtëpisë tënde që t’i ka ofruar të gjitha pozitat e mundshme dhe në fund të fundit ke tentuar ta shuash për shkak të joshjeve për një pozitë më të lartë, atëherë është e mundshme edhe kjo për t’i mbajtur pozitat aktuale. Nuk më çudit, nuk më duket e pamundshme”, ka thënë Zemaj.
Ai është pyetur edhe për zërat se Vjosa Osmani mund të kthehet në LDK, mirëpo ka mohuar një gjë të tillë.
“Ka zëra aty-këtu, ndonjë militantë, ata që e duan LDK-në, por mendoj se është e pamundur. Nuk është diçka që është reale”, ka thënë Zemaj.