Zelensky shkarkon ambasadoren e Ukrainës në ShBA, Olga Stefanishina: Dhashë dorëheqjen për arsye personale

- Advertisement -

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka firmosur një dekret për largimin nga detyra të ambasadores së vendit në Shtetet e Bashkuara, Olga Stefanishina.

Megjithatë, vetë diplomatja ka deklaruar se largimi i saj ka ardhur me iniciativën e saj dhe për arsye personale, duke theksuar se do të vijojë të punojë për Ukrainën në çdo detyrë që mund t’i kërkohet.

Largimi i saj vjen në një periudhë ndryshimesh të gjera në qeverinë ukrainase dhe në drejtimin ushtarak të vendit. Posti i ambasadorit në Uashington konsiderohet një nga pozicionet më të rëndësishme diplomatike të Ukrainës, pasi Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor strategjik i Kievit.

Përmes një postimi në Facebook, Stefanishina bëri të ditur se vendimi për largim ishte diktuar nga rrethana personale, për të cilat kishte informuar më herët, duke nënvizuar se e konsideronte të rëndësishme që vetë të merrte vendimet që lidhen me rrugëtimin e saj profesional.

Ajo bëri gjithashtu një bilanc të mandatit të saj, duke veçuar tre arritje kryesore: rritjen e konsiderueshme të furnizimeve ushtarake amerikane për Ukrainën dhe ruajtjen e mbështetjes së SHBA-së, edhe në një periudhë kur klima politike në Uashington ishte më pak e favorshme për Kievin; institucionalizimin e mbështetjes amerikane për Ukrainën përmes mekanizmave ligjorë dhe ndryshimin e imazhit të Ukrainës nga një vend që vetëm merr ndihmë, në një vend ku investohet dhe nga i cili blihen teknologji.

Vetëm pak ditë para shkarkimit, më 30 korrik, Stefanishina kishte deklaruar se Zelensky nuk i kishte kërkuar të jepte dorëheqjen, duke mohuar informacionet që qarkullonin për largimin e saj.

Megjithatë, ajo kishte konfirmuar se ndaj saj po zhvillohej një proces verifikimi lidhur me deklarimin e pasurisë, duke e cilësuar atë si një “procedurë krejtësisht normale” dhe duke shprehur gatishmërinë për të paraqitur të gjitha dokumentet e nevojshme përpara autoriteteve ukrainase.

Në qendër të hetimeve për çështje korrupsioni

Stefanishina nuk e përfundoi as një vit në postin e ambasadores së Ukrainës në Uashington, pasi ishte emëruar më 27 gusht 2025, duke zëvendësuar Oksana Markarovan, e cila kishte shërbyer në këtë detyrë që prej shkurtit 2021.

Emri i saj është përmendur në disa hetime gjatë viteve të fundit. Në vitin 2020, ajo u përfshi në një çështje korrupsioni që lidhej me ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë gjatë presidencës së Viktor Janukoviçit, megjithatë ajo ka mohuar çdo përgjegjësi.

Në qershor të vitit 2025, një hetim mediatik zbuloi se persona nga rrethi i saj i afërt kishin marrë kontrollin e katër pronave përmes Agjencisë ukrainase për Menaxhimin e Aseteve (ARMA), mes tyre edhe ndërtesën historike të Sindikatave në Sheshin e Pavarësisë në Kiev.

Një muaj më vonë, Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit (SAP) nisi një hetim penal pas këtyre raportimeve, por deri tani nuk janë ngritur akuza ndaj saj. /Panorama/

Të ngjashme

Të fundit