Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjatë konferencës javore për media, ka ofruar informacionin e fundit lidhur me zhvillimet në proceset gjyqësore.
Sipas saj, në çështjen e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, më 28 shkurt, Kryetarja e Dhomave të Specializuara vendosi mbi kërkesën për sqarim të Bahtijarit, i cili kishte pretenduar se nuk ishte informuar në kohë për uljen e dënimit të tij.
“Kryetarja Trendafilova konkludoi se Bahtijari kishte marrë të gjitha informacionet e nevojshme, duke përfshirë kopje të kushteve të vendimit në gjuhën shqipe. Kërkesa e tij u hodh poshtë dhe mbrojtëses së tij iu urdhërua që të dorëzonte versionin e redaktuar të kërkesës deri më 6 mars 2025”, tha Griep.
Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, sipas zëdhënëses Griep, më 3 mars, trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Veselit për apelimin e një vendimi që nuk pranoi një dokument si provë.
“Trupi Gjykues theksoi se autenticiteti i dokumentit nuk mund të verifikohej, pasi dëshmitari kishte ndërruar jetë. Gjithashtu, Trupi Gjykues miratoi disa redaktime të propozuara nga Prokuroria dhe Mbrojtja e Viktimave për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, duke urdhëruar që pjesë të tjera të transkripteve të riklasifikohen si publike”, tha Zëdhenësja e DhSK-së.
Griep gjatë kësaj konference ka njoftuar që më 4 mars, trupi gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë, për pranimin si provë të dokumenteve që lidhen me zonën e Shalës dhe Karadakut, pasi ato u vlerësuan si autentike dhe të lidhura ngushtë me lëndën./Betimi për Drejtësi