Sipas raporteve nga La Repubblica, ishte një mision i porositur nga Shtetet e Bashkuara për të siguruar aleatët dhe paralajmëruar Vladimir Putin, i cili përdori gjashtë armë supersonike kundër të cilave nuk ka mburoja efektive kundërajrore. “Dy bombarduesit, në fakt i mbajtën transmetuesit e pozicionit të tyre të ndezur, diçka që avionët ushtarakë përgjithësisht nuk e bëjnë: një zgjedhje që i lejonte të gjithë të ndiqnin lëvizjet e tyre drejt konfliktit të zonës,” shpjegoi Gianluca Di Feo në La Repubblica. Ndër të tjera, B-52, të cilët u ngritën nga baza spanjolle e Moron de La Frontera, fluturuan edhe mbi Itali : kaluan nëpër Palermo, Kalabri dhe Salento për të vazhduar më pas drejt Bullgarisë dhe Rumanisë. Më në fund ata iu afruan kufirit të Ukrainës dhe Moldavisë dhe u kthyen duke kaluar mbi Toskanën.
Lëvizjet e amerikanëve
“Që nga fillimi i pushtimit rus ka pasur të paktën dy misione të tjera bombarduese ‘të dukshme’: me atë rast atyre iu bashkuan avionë luftarakë nga vendet e NATO-s që fluturonin mbi, një shenjë se këto ishin operacione të planifikuara paraprakisht. Ky i fundit ishte një ekspeditë e vetmuar, një rrethanë që sugjeron një nismë të vendosur në momentin e fundit në përgjigje të ofensivës ruse”, kujton Di Feo.
Lëvizjet e amerikanëve vijnë në një moment, ku Italia ka dhënë javët e fundit alarmin për situatën në Mesdhe. “Ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të anijeve ruse në Mesdhe, siç nuk është parë që prej Luftës së Ftohtë.” Alarmin e jep kreu i marinës italiane, Enrico Credendino, sipas të cilit sjellja e Moskës po bëhet në mënyrë të pazakontë, më agresive. “Numri i anijeve ruse në Mesdhe është rritur. Edhe pse nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë në ujërat tona territoriale, mjafton për të kuptuar se tensionet po shtohen. Rusët po shfaqin një sjellje agresive që më parë ka qenë e dukshme në Balltik, por jo në Mesdhe. Ekziston rreziku për incidente të mundshme dhe kur ndodh një incident të kësaj natyre, nuk dihet kurrë se si mund të përfundojë”, tha Credendino pak ditë më parë. Gjatë dëshmisë në Komisionin e Mbrojtjes të parlamentit Italian, ai paralajmëroi se Moska po e rrit praninë edhe në Detin Jon, duke mos përjashtuar edhe këtu rrezikun e incidenteve e përplasjeve. “Mesdheu ka fluks të madh, dhe ekuilibri aty është i paqëndrueshëm. Nuk ishin parë ndonjëherë katër grupe avionë-mbajtësish të aleatëve: një italian, një francez, një amerikan dhe anije amfibe spanjolle. Rusët nuk e kanë të vështirës të arrijnë deri në Jon dhe të mësyjnë me tre anije moderne. Anija më moderne e Rusisë, ndodhet aktualisht në Afrikën e Jugut dhe zotëron raketa hipersonike, të cilat nuk e dimë nëse janë efikase ose jo, por këtë do ta shohim. Ajo anije mund të hyjë në Mesdhe. Situata është komplekse dhe rreziku i lartë”, shtoi kreu i marinës italiane.
Provokimi i dy anijeve ruse
Nga ana tjetër, pak ditë më parë dy anije ruse u futën në një zonë mes Kalabrisë dhe ishullit të Korfuzit, pak milje larg brigjeve të Shqipërisë. Duket se tashmë tensioni mes Rusisë dhe vendeve perëndimore nuk kufizohet më vetëm në fushëbetejën e Ukrainës por edhe në detin Mesdhe. Italia ngriti në fluturim avionët e saj P-72 për të monitoruar situatën nga lart. Njëra prej anijeve ka ardhur nga oqeani Atlantik dhe bëhet fjalë për anijen ‘Kola’ ndërsa tjetra është një anije korvetë raketahedhëse që ndodhej në bazën ruse të Tartous në Siri. Sipas medias italiane, ‘La Republica’, analistët thonë se me shumë mundësi anijet po ndjekin nga afër aeroplan-mbajtësen amerikane “Bush” që në këto momente gjendet mes brigjeve të Pulias në Itali dhe Shqipërisë. Në afërsi të Sicilisë, dy anije të tjera të Moskës janë të pranishme prej javësh, ku njëra prej tyre është luftanija ‘Admiral Kasatanov’, një nga më modernet e flotës ruse.