Ish-deputeti Zafir Berisha ka kritikuar sistemin aktual zgjedhor në Kosovë, duke thënë se rezultatet e deritanishme të numërimit të votave po tregojnë një përsëritje të përbërjes së legjislaturës së kaluar.
Në “Edicioni Special” në Klan Kosova, Berisha tha se sistemi i votimit me mundësinë për të votuar deri në 10 kandidatë nuk i shërben demokracisë dhe se u përshtatet liderëve të partive politike.
Ai u shpreh se Kosova duhet t’i rikthehet modelit të votimit që përdoret në asambletë komunale.
“Numërimi i votave po tregon se kemi një copy-paste të legjislaturës së kaluar. Votimi për 10 persona s’ka të bëjë aspak me demokracinë. Liderëve të caktuar të partive politike u konvenon ky sistem. Mendoj se Kosova duhet t’i rikthehet sistemit të votimit si në asambletë komunale. Prandaj, edhe në zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë nuk do të marrin pjesë, pasi është humbje kohe kur paraprakisht dihet se kush do të bëhet deputet.”
Berisha komentoi edhe situatën politike në vend, duke thënë se zgjedhjet aktuale nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha dhe se vendi mund të përballet sërish me zgjedhje.
Sipas tij, deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti tregojnë se ekziston mundësia që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje, ndërsa akuzoi qeverinë aktuale për krijimin e një klime politike të tensionuar.
“Unë edhe para se të fillonte fushata kam thënë se këto janë zgjedhje që, krahasuar me sportin, janë lojë miqësore, sepse zgjedhjet e vërteta do të mbahen në vjeshtë. Edhe rezultati është i programuar në atë drejtim. Deklaratat e Albin Kurtit tregojnë se ai vazhdon me atë që e ka thënë para shpërbërjes së Kuvendit, se do të shkojmë sërish në zgjedhje, dhe ai minimalisht mendon që edhe tri vjet ta mbajë kështu Kosovën. Kemi një klimë tepër toksike, të krijuar nga regjimi aktual i Albin Kurtit.”






