YouTube thotë se po prezanton kufizime të reja në videot me armë pas thirrjeve të përsëritura nga aktivistët për të kufizuar “materialet potencialisht traumatike”.
Nga 18 qershori, platforma e ndarjes së videove tha se do të ndalojë çdo video që demonstron se si të hiqen pajisjet e sigurisë së armëve të zjarrit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
YouTube, që është në pronësi të Google, do të kufizojë gjithashtu videot që tregojnë armë të bëra vetë dhe armë automatike për përdoruesit nën 18 vjeç.
Ndërsa aktivistët e kanë mirëpritur nismën, ata thanë se YouTube duhet të tregojë se po ndërmerr “veprim të vërtetë” për të parandaluar ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve ose materialeve potencialisht traumatizuese që mund të nxisin dhunën.
Ndryshe, lëndimet e lidhura me armët kanë qenë shkaku kryesor i vdekjeve për fëmijët dhe adoleshentët në SHBA që nga viti 2020, sipas një raporti nga Fondacioni i Institutit Kombëtar për Menaxhimin e Kujdesit Shëndetësor (NIHCM) me qendër në Uashington.
Në vitin 2022, numri i fëmijëve amerikanë që vdiqën ose u plagosën nga të shtënat me armë arriti një rekord të lartë.