Ish-deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, e cila është edhe kandidate për t’u zgjedhur sërish deputete, ka folur për skandalet që, sipas saj, kanë ndodhur me energjinë elektrike gjatë viteve të fundit në kohën e qeverisjes së Albin Kurtit.
Ajo tha se edhe ZRrE-ja është e përfshirë në këtë skandal me energjinë elektrike.
Ndërsa shtoi se ulja e çmimeve ka ndodhur si rezultat i hetimeve të nisura.
“Mendoj se këtu ka ndikuar shumë hetimi që është bërë dhe që po vazhdon të bëhet. Rrugët rajonale tregtare janë pjesë e tregut rajonal dhe ndërkombëtar dhe ZRrE-ja nuk mund t’i injorojë ato. Aq më pak kjo e fundit, për të cilën unë mendoj se është palë e inkriminuar në këtë rast. Kjo ka ndikuar që të ketë edhe vëmendje ndërkombëtare, e cila mund të pasohet me dënime, siç ka ndodhur në Rumani, ku vetë EFT-ja, apo kompania e Vuk Hamoviqit, është dënuar. Gjëja më e paktë që këta kanë mundur të bëjnë pas nisjes së hetimeve është zvogëlimi i çmimeve ndërkufitare të energjisë elektrike. Për të njëjtët kufij, Kosovë–Mali i Zi dhe Kosovë–Maqedoni e Veriut, në vitin 2024 çmimi ka qenë më i ulët, ndërsa në vitin 2025 është rritur me miratimin e ZRrE-së. Më pas kanë nisur hetimet dhe çmimet kanë rënë. Pa dyshim, ulja e çmimeve ka të bëjë edhe me hetimet e nisura”, ka thënë ish-deputetja Ymeri në një intervistë në emisionin EURO.






