Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e KEK-ut me Maqedoninë e Veriut për shitjen e qymyrit JESM, me kohëzgjatje tre-vjeçare dhe me vlerë që mund të shkojë mbi 73 milionë euro.
Ndonëse nga KEK-u u konsiderua sukses për stabilimin e të hyrave, deputetja Janina Ymeri nuk është optimiste.
Ajo ka reaguar me dy statusa në Facebook, në njërin tha se Maqedonia e Veriut nuk ka rrymë as për vete për të shkëmbyër me Kosovën.
“Maqedonia e Veriut nuk ka rrymë as për vete, madje edhe sot ka orë me import, por edhe kur eksporton rrymë, ajo nuk mjafton fare për kërkesat e Kosovës. Veshja e marrëveshjes së shitjes së thëngjillit të KEK-ut me qëllim që të marrim rrymë si shkëmbim mund edhe të jetë e shkruar, por është rrenë e kulluar. Ka kohë që KEK-u dhe vetë Qeveria VV kanë bllokuar investitorët e huaj për qasje në mineralet energjetike, për ta kryer marrëveshjen vetëm me një shtet, në një kohë kur shënohen dy vdekje brenda muajit. Por, pa Prokurorinë Speciale, sektori energjetik nuk kfillet. Deri kur Prokuroria Speciale të vendosë ta luftojë me rrënjë krimin në këtë sektor, përfshirë edhe KEK-un, pavarësisht pushtetit, lutem që të paktën të mos ketë vdekje të tjera”, ka shkruar ajo.
Tutje, Ymeri tha se vlera e kësaj kontrate vlen sa 3-4 muaj import të energjisë elektrike të cilën e paguajnë konsumatorët kosovarë.
“Vlera e fituar nga kontrata e KEK me Maqedoninë e Veriut për 3 vjet kohë, harxhohet përafërsisht për 3-4 muaj nga xhepat tanë në import të rrymës. 3 vjet kontratë për para që harxhohen për 3 muaj. Qe sa është profitabiliteti i kësaj kontrate. Qe sa i intereson VV për ne si qytetarë. Kaq pak po vlejnë, 73 Milionë Euro të varfërisë sonë”, ka shkruar ajo





