Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, në një intervistë dhënë për dokumentarin “Expose” ka folur në lidhje me procesin zgjedhor që kaloi Kosova.
Ymeri tha se gjëja më e befasishme në këto zgjedhje ka qenë mos-pjesmarrja e qytetarëve.
“Gjëja më e befasishme edhe pse ka qenë e pritshme por për mua jo së paku në këtë numër ka qenë mospjesëmarrja e qytetarëve, afërsisht 200 mijë vota më pak se në dhjetor të vitit të kaluar, por edhe më pak se në shkurt, atëherë kjo është një fenomen që kërkon më shumë vëmendje sidomos nga partitë politike sepse kjo nuk është neglizhencë, por abstenim dhe abstenimi në politikë ka gjithmonë një prapavijë prapa, ka një pakënaqësi të thellë te qytetarët e cila nuk është adresuar nga partitë politike dhe kjo paraqet një moment në të cilin kemi ardhur në Kosovë e që qytetarët mbase kanë një lloj krize të përfaqësimit, që nuk ndihen të përfaqësuar nga partitë politike dhe sjelljet e tyre. Kjo më së shumti i atribuohet krizës që zgjati në Kosovë por nuk është vetëm kjo, është përtej kësaj. Një llojë zhgënjimi i tillë deri te apatia ka qenë duke ndodhur kur LVV ka qenë në opozitë dhe filloi të rritet, kishte pakënaqësi me partitë tjera dhe qeverisjet e kaluara dhe pastaj VV erdhi në pushtet që pikërisht ta mbajë shpresën gjallë dhe ta avancojë dhe dështimi i VV-së në këtë pikë, qartazi qytetarët po e thonë një gjë të tillë, ka krijuar një zhgënjim të tillë edhe më të madh. Mendoj se ky zhgënjim do të marrë kohë derisa të rikuperohet. Kështu që rezultati në përgjithësi është shqetësim për besimin në procesin demokratik dhe mënyrën se si duhet të adresohen” deklaroi Ymeri.
Ymeri tha se më së shumti në këto zgjedhje janë ‘goditur’ LVV dhe PDK duke humbur një numër të konsiderueshëm votash.
Ai potencoi se fitues i këtyre zgjedhjeve me rritje të votës, është AAK-ja.
Ymeri tha se rezultati zgjedhor është i mirë pasi pamundëson qeverisjes njëpartiake dhe sjelljen arrogante të Kurtit.
“Shihet që jo të gjitha partitë politike janë goditur njësoj, disa parti kanë arritur që të kenë një rritje edhe pse jo në përputhje me potencialin, ndërsa disa të tjera si VV dhe PDK, kanë marrë goditje në humbje të votave. Te përqindjet shohim që rënia e VV-së është përkthyer në rritje të LDK-së, LDK mund të përfundojë me 19-20 deputetë, VV mund t’i humbë 5-6 deputetë. PDK duket se i ka 2 deputetë më shumë, ndërsa mendoj që fitues të zgjedhjeve rritje të votës ka qenë AAK e cila është goditur shumë nga VV për një kohë të gjatë, që nuk do ta kalojë pragun e kështu me radhë. Në tërësi nëse e përmbledhim rezultatin zgjedhor është i mirë sepse krijon kushte për një normalitet në politikë, një demokraci më të madhe në qeverisje, meqë pamundëson qeverisjen njëpartiake dhe po të lexohet drejt do ta pamundësonte sjelljen arrogante të kryeministrit Kurti dhe VV-së që e kemi parë gjatë këtyre viteve të fundit dhe në këtë trend është pozitiv, por pastaj është negativ që qytetarët më nuk po e shohin procesin zgjedhor si mundësi që të ndryshojnë diçka në Kosovë” deklaroi Ymeri.
Ai potencoi se është pritur një rënie e votës për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Rënia e VV-së në numër të votave nuk është deifinitive, po priten votat e mërgatës. Për që do të ketë rënie është pritur, madje kam menduar që rënia do të jetë më e madhe, nuk doli aq sa kam pritur unë, sepse kur e analizon një parti e analizon në bazë të sjelljeve dhe qeverisjes dhe nëse i ke të gjitha këto gabime atëherë natyrisht që ndëshkimi nga qytetarët do të duhej të ishte më i madh. Ajo që është interesant është se rënia e pakënaqësisë ndaj VV-së nuk po përkthehet në përkrahje për partitë opozitare, mendoj që ky është hendeku më i madh. Për mua ka qenë e papritur rënia në vota e PDK-së, nuk e kam pritur fare, nuk e kuptoj pse një votues i PDK-së e ndëshkon partinë e vet, sepse po të ishte në pushtet e kisha kuptuar por kur je në opozitë kjo është pak e çuditshme dhe mendoj se PDK duhet ta analizojë këtë. Për mua efekti i zonjës Osmani në LDK kam menduar se do të jetë i madh, është vështirë të analizohet se sa ka qenë saktë, por nuk janë ngritjet e votave në përputhje me pritjet që i kanë pasur as LDK e as qytetarët e Kosovës pasi LDk nuk ka arritur të dalë në vendin e dytë, ka mbetur në të tretin, ndërsa befasi pozitive është rritja e Aleancës dhe shtimi i numrit të deputetëve në Kuvend”
Ymeri tha se qëllimi i VV-së do të jetë që sërish mos të arrihet marrëveshje dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
“Rrethanat tash janë tjera, natyrisht. Mendoj se partitë politike, e më së shumti VV duhet t’i lexojnë drejt këto rezultate, a do t’i lexojnë apo jo, nuk jam bash i sigurt. Fjalimin që e dëgjuam në natën e përfundimit të zgjedhjeve nga z.Kurti nuk është shumë i ndryshëm nga ai i dhjetorit, edhe atëherë ka thënë se do të bashkëpunojë por atëherë nuk ka pasur nevojë për bashkëpunim sepse i ka pasur numrat, gatishmërinë formale për bashkëpunim e ka pasur edhe atëherë por çka quan Kurti bashkëpunim dhe çka është në të vërtetë bashkëpunimi janë dy gjëra të ndryshme. Unë nuk e di nëse VV do të vazhdojë me të njëjtën qasje apo një VV që për shkak të rezultatit zgjedhor fillon të mendojë ndryshë. Unë siç e njoh dhe siç mund ta paramendoj, gjasat janë më shumë që të kemi mekanizma dhe metoda tjera, për qëllimin e njëjtë. Qëllimi është që mos të arrihet marrëveshje, të çohet vendi sërish në zgjedhje, mundësisht në dhjetor dhe të ndërmerren veprime që lënë të kuptojnë se Kurti do marrëveshje ndërsa partitë opozitare jo. Në këtë radhë është shumë e qartë, meqë nuk mund ta bësh qeverinë vet, duhet të bësh koalicion. I ke 3 parti politike, me cilëndo prej tyre mund të bësh marrëveshje, mirëpo marrëveshja politike nënkupton që duhet kompromis. Kurti mendon se marrëveshja politike, meqë ka dominancë të votave, mund të jetë ajo marrëveshje që vetëm pala tjetër bën kompromis, kështu marrëveshje nuk ka. Për ta konkretizuar, janë dy pozita të rëndësishme për të cilat po flasim sot, kryeministri dhe presidenti. Në marrëveshje VV duhet të jetë e gatshme që ta mbajë njërën, natyrisht që VV shkon për kryeministrin sepse atë e do edhe z.Kurti dhe partia. Në rregull atëherë, ia jep partisë tjetër presidentin. Por, nëse të duket presidenti më i rëndësishëm, kryeministrin duhet t’ia japë partisë tjetër dhe ne kemi kombinime të tilla gjithandej” deklaroi Ymeri në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.






