Ymeri kritikon Kurtin për menaxhimin e çmimeve: Qeveria nuk po ndërhyn në kohë

- Advertisement -

Analisti Visar Ymeri ka kritikuar qeverisjen e Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti lidhur me rritjen e çmimeve dhe mungesën e ndërhyrjes institucionale.

Sipas tij, në periudha krize qeveritë duhet të reagojnë, sidomos kur çmimi i energjisë bëhet i papërballueshëm për qytetarët, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në të gjitha sektorët.

“Është baza e çdo gjëje tjetër. Nëse nuk intervenon në çmimet e energjisë, kjo ndikon automatikisht në transport dhe në çdo segment tjetër”, ka thënë Ymeri.

Ai theksoi se institucionet, përfshirë qeverinë, ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët në situata të tilla.

“Këta një gjë nuk janë duke e kuptuar: institucionet janë aty për të mbrojtur qytetarin. Për këtë arsye ne organizohemi si shoqëri dhe ndërtojmë shtet – që të na mbrojnë kur kemi nevojë”, u shpreh ai.

Ymeri shtoi se, sipas tij, kryeministri Kurti po tenton të ndjekë të njëjtin model të viteve të kaluara, duke mos ndërhyrë në kohë, por duke ofruar më vonë paketa financiare.

“Po tenton të përsërisë atë që ka bërë në vitet 2023, 2024 dhe 2025 – kur çmimet rriten shumë, pastaj del me paketa ndihme dhe thotë në vend të 100 eurove po japim 200 euro për shkak të inflacionit, duke u përpjekur t’i afrohet zgjedhjeve me këto masa që qytetarët të thonë se së paku po marrin diçka”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme

Të fundit