Sporti i xhudos në krye me trajnerin legjendar Driton Kuka vazhdon të jetë krenaria e sportit dhe shtetit të Kosovës pasi sukseset e saj janë të paarritshme edhe nga shumë shtete të mëdha evropiane dhe botërore. Në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka kanë fituar medaljet e arta në kategoritë -48 kg, përkatësisht -57 kg, kurse janë siguruar nga Kosova edhe dy vende të shtata. Ndërsa Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova nuk arritën të japin më të mirën dhe të sigurojnë medalje. Mundja dhe boksi i Kosovës u përfaqësuan për herë të parë në Lojërat Olimpike, kurse Kosova në këto lojëra u përfaqësua me gjithsejtë 11 sportistë, prej tyre gjashtë me normë olimpike (xhudistët dhe mundësit) që vlerësohet sukses i jashtëzakonshëm për ekipin e Kosovës.
Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajneri Driton Kuka janë pritur në mënyrë madhështore e me ceremoni shtetërore nga shteti i Kosovës. Në shesh para publikut ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për kampionet olimpike të Kosovës. “Tri medalje të arta, nga tri gra, kjo fjali me shtatë fjalë, faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve dhe secilit që ka ndihmuar. Tani le të fillojnë përgatitjet për në Paris dhe të fitojmë edhe më shumë medalje”, ka thënë Kurti, i cili e ka vlerësuar lart medaljen e parë të fituar nga Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, duke thënë se Majlinda do të mbetet kampione përjetë. “Në olimpiadën e parë Majlinda i solli Kosovës medaljen e parë të artë në Rio, kurse në atë të Tokios, Distria dhe Nora i sollën vendit dy. Medaljet e arta, aq sa kërkojnë talentë, kërkojnë edhe mund”, ka shtuar Kurti. Ndërsa për trajnerin Driton Kuka, Kurti ka thënë se xhudon e ka bërë sinonim të fitores. “Aq sa kërkon talent, kërkon disiplinë, teknikë e taktikë të përsosur, me këmbëngulje e ka bërë xhudon sinonim të fitores”, ka deklaruar Kurti.
Majlinda Kelmendi pensionohet me ceremoni shtetërore, i jepet urdhri ‘Shote Galica’
Me ceremoni shtetërore të organizuar nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, heroina e Kosovës, Majlinda Kelmendi, i ka dhënë fund karrierës prej xhudistes. Kampionia olimpike, krahas Medaljes së Artë Olimpike të fituar në Rio 2016, karrierën e mbylli edhe me tre tituj kampioni (dy si seniore dhe një si juniore), katër medalje të arta evropiane, përfshirë Lojërat Evropiane Minsk 2019, një medalje të bronztë botërore dhe e shpallur tri herë xhudistja më e mirë në botë. Në ceremoninë e organizuar në Institutin “Ali Hadri” në Prishtinë, presidentja Osmani i ka dhënë urdhrin “Shote Galica”. “Ajo me të drejtë cilësohet legjendë e sportit të xhudos. Me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekada të jetës së saj, Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme, që e bëri shtetin tonë të tillë çfarë e duam. Flamuri kaltër e verdhë valoi majave karshi flamujve të shteteve më të mëdha anekënd globit fal Majlindës”, ka thënë Osmani. Ndërsa Majlinda Kelmendi, e cila tani e tutje do ta vazhdojë karrierën e trajneres, ka folur për fillimin e karrierës, për sfidat nëpër të cilat ka kaluar derisa ka arritur sukseset më të mëdha që arrihen në sport. “Jam rritur me Tonin si garuese e Toni është rritur me mua si trajner. Për shumë vite kemi qenë unë dhe ai kundër krejt botës dhe i kemi treguar se sa shumë vlera kemi ne populli i Kosovës. Kur Toni filloi të fliste për mua kur isha 15-vjeçare, të fliste për medalje olimpike, shumë e quanin të çmendur se po sheh ëndrra me sy çel. Sot ai është trajneri më i mirë në botë me tri medalje të arta olimpike nga një shtet i vogël si Kosova”, ka thënë 30-vjeçarja. “Falënderimi special shkon për Disin. Kemi qenë sparring partnere për 13 apo 14 vjet. Ka mjaftuar me zgjatë njërën dorë dhe ajo e ka ditur se çfarë dua të ushtroj e punoj. Ka qenë sparrinet partnerja ime dhe tash është kampione aktuale olimpike e realisht për mua aktualisht xhudistja më e mirë në botë. Falënderim shumë i madh nga zemra shkon për vendin tim, për popullin tim që më ka përkrahur gjithmonë pa kusht. E di se unë jam për ju heroinë, e di se me krahasoni me Nënë Terezën apo Adem Jasharin, por besoni motivi më i madh për të arritur këtu jeni ju. Kam punuar gjithmonë 200 për qind, kam dhënë më shumë se maksimumin prej vetes, mos me t’ju zhgënjej e t’ju bëj krenar. Shpresoj shumë se ia kam arritur. Shpresoj shumë se ju kam bërë krenar, ju kam sjell lot gëzimi e në çaste të caktuara edhe lot hidhërimi. Ishte nder, krenari e privilegj shumë i madh për mua t’ju përfaqësoj ju, populli im. Jam mirënjohëse deri në frymën time të fundit dhe jua dua pa fund”, ka deklaruar Kelmendi, e cila ka qenë tri herë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike. Në Londra 2012 përfaqësoi Shqipërinë, ndërsa në “Rio 2016” dhe “Tokio 2020” Kosovën. Në Rio dhe Tokio ishte edhe bartëse e flamurit në ceremoninë hapëse.
Majlinda shpallet ‘qytetare me merita të veçanta’
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shpalljen e Majlinda Kelmendit “qytetare me merita të veçanta”. Konsideruar kontributin që ajo ka dhënë për promovimin e fushës së sportit në Kosovë dhe për promovimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi merr statusin e qytetares me merita të veçanta dhe do të shpërblehet në vlerë prej 1,321.32 eurosh në muaj, e cila përkon me rrogën bruto të një Ministri/e në Kosovë.
Kuka dhe Krasniqi, më të mirët në botë
Driton Kuka dhe Distria Krasniqi e kanë mbyllur edhe me një tjetër sukses vitin 2021. Trajneri Kuka është shpallur për herë të parë trajneri më i mirë në botë, kurse ai ka thënë se ky çmim shkon për Kosovën, vendin tonë të vogël, por me njerëz të mrekullueshëm. Pas Kukës, kampionia olimpike “Tokio 2020”, Distria Krasniqi, u zgjodh “Xhudistja më e mirë femër për vitin 2021”. Disi kishte marrë më së shumti vota, ndërsa në top 5 ishte nominuar falë suksesit në Rio dhe bërjes kampione e Evropës. Pas marrjes së çmimit ajo ka thënë se nuk e kishte pritur se do të jetë e para, por është çmimi që e bën të ndihet krenare.
Përurohet Qendra Nacionale e Xhudos
Tri medalje Kosova i fitoi në Lisbonë të Portugalisë. Xhudisti Akil Gjakova është bërë për herë të parë kampion i Evropës në xhudo për sendorë në Kampionatin Evropian. Laura Fazliu e zuri vendin e pestë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Medaljen e artën e fitoi edhe Distria Krasniqi, kurse Nora Gjakova u stolis me të bronztën. Laura shënoi tri fitore, ndërsa pësoi humbje në çerekfinale dhe në luftën për të bronztën. Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në garën e “European Open”, që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Ndërsa Shpati Zekaj ka fituar medaljen e parë për seniorë në garat ndërkombëtare. Zekaj fitoi të argjendtën në “European Open”, që u mbajt në Zagreb të Kroacisë. Nora Gjakova është stolisur me medaljen e bronztë të botës në Kampionatin Botëror të Xhudos në Budapest të Hungarisë.
Medaljet nuk munguan edhe nëpër garat e tjera
Një e artë dhe dy të bronzta është bilanci i medaljeve të fituara nga ekipi Olimpik i Xhudos, në ditën e parë të garës së Mastersit që u mbajt në Doha të Katarit. Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë, Majlinda Kelmendi (-52 kg) e Nora Gjakova (-57 kg) fituan të bronztën. Loriana Kuka në Doha të Katarit ia siguroi Kosovës medaljen e katërt. Loriana ia siguroi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 78 kilogramë. Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos në Tel Aviv të Izraelit. Në mars xhudistja Nora Gjakova ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e xhudos në Tbilisi të Gjeorgjisë. Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prixin e xhudos që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Erza Muminoviq ka fituar medaljen e bronztë të botës në Kampionatin Botëror të Juniorëve (U-21) që po mbahet në Olbia të Italisë. Flaka Loxha ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të U-23 të Xhudos që u mbajt në Budapest të Hungarisë. /ER/