SHBA-ja do të vazhdojë të godasë infrastrukturën ushtarake iraniane nëse Teherani kërcënon trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, tha sot ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, shkruan CNN.
“Nëse regjimi iranian mendon qoftë edhe për një çast se Presidenti (Donald) Trump do të qëndrojë duarkryq, ndërsa Irani vazhdon të sulmojë transportin ndërkombëtar detar pa marrë përgjigje, ose bazat tona pa marrë përgjigje, atëherë ata gabohen rëndë”, tha Waltz në emisionin “Fox News Sunday”.
Waltz shtoi se SHBA-ja “do të vazhdojë, ushtarakisht, nëse është e nevojshme, ta shkatërrojë infrastrukturën që ata po përpiqen ta përdorin për ta kontrolluar në mënyrë të paligjshme një rrugë ujore ndërkombëtare”.
Komentet e Waltz vijnë pasi Trump të shtunën paralajmëroi se Irani “nuk do të ekzistojë më” nëse SHBA-ja vendos ta “përfundojë ushtarakisht punën” në Iran.
Ndërsa Waltz tha se diskutimet teknike mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë dhe se Trump “gjithmonë do t’i japë një mundësi diplomacisë”, ai theksoi se “durimi i presidentit nuk do të zgjasë përgjithmonë”.
“Mos mendoni as edhe për një çast se Presidenti Trump nuk do t’i mbajë të gjitha opsionet mbi tryezë për të arritur jo vetëm objektivin tonë, por objektivin e gjithë botës që Irani të mos ketë kurrë një armë bërthamore”, shtoi Waltz.






