Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se qëndrimet e kësaj partie në lidhje me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të qarta dhe publike, pas fjalimit të deputetit Fatos Geci në Kuvend.
Nga foltorja e Kuvendit, Nagavci u shpreh: “Sot këtu në seancë u thanë shumë fjalë nga deputetët, shumë të pavërteta, por vlen të theksohet besoj ajo që është e ditur për qytetarët, qëndrimet e grupit parlamentar dhe të VV-së në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK-së, janë publike, qëndrojmë pas tyre. Lufta ka qenë e drejtë, e pastër, vlerësojmë përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuuar për lirinë e vendit”.
Ndërkohë, deputeti Fatos Geci ka bërë një paralelizëm që ka nxitur reagime të ashpra në Kuvend, duke e përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi në krahasim me Naim Murselin.
“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat.” – tha ai.






