“VV nuk u pajtua”, Gruda tregon pse projektligji për Specialen nuk u përfshi në deklaratën e Kuvendit

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka folur për mospërfshirjen e projektligjit për Dhomat e Specializuara në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Gruda ka deklaruar se projektligji ishte pjesë e draftit të propozuar nga PDK-ja, por se Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte pajtuar me përfshirjen e tij.

“Nuk ka qenë i hequr. Ka qenë në draftin tonë. Drafti ynë e ka paraparë zotimin për me miratu ligjin, edhe LVV-ja nuk është pajtuar me atë. Nuk kanë dhënë arsyetim, vetëm kanë thënë se nuk mund ta votojmë një deklaratë që ka zotimin për ligjin”, ka thënë Gruda.

Gruda u pyet edhe se përse PDK-ja u pajtua që deklarata të miratohej pa këtë pjesë, nëse LVV-ja nuk kishte dhënë një arsyetim të detajuar për kundërshtimin e saj.

Ai tha se PDK-ja kishte zgjedhur të mbështeste krijimin e një konsensusi fillestar dhe të mos e shndërronte çështjen në përplasje politike.

“U pajtuam me kriju një konsensus fillestar, sepse për neve ka qenë e lehtë. Kemi mujt me dalë në konferencë për media e me thanë: ‘Shikoni, këta nuk duan ta bëjnë këtë’, edhe i kishim fitu disa poena politikë. Por s’kemi dashur, sepse nuk ka qenë qëllimi aty”, u shpreh ai.

Sipas Grudës, në këtë rast ka qenë e rëndësishme që partitë të përpiqen të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët.

“Mua më duket që na duhet pak sjellje edhe nuk e di, deri sa më pyesni, që ka qenë LVV-ja kundër, me të tentu me ndërtu një konsensus për këtë punë”, ka deklaruar Gruda.

Të ngjashme

Të fundit