Vuçiq: Kam informata se Thaçi do të lirohet nga akuzat për krime lufte

- Advertisement -

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ish-lideri i UÇK-së, Hashim Thaçi, më 16 shtator do të shpallet i pafajshëm për “krimet e kryera ndaj serbëve gjatë viteve 1998 dhe 1999”, ndërsa shtetet perëndimore do ta “mbulojnë këtë duke bërë që ai të dënohet për mosrespektim të gjykatës, përkatësisht të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”, transmeton Paparaci.

Vuçiq ka folur në televizionin në shërbim të regjimit të tij, “TV Informer” për aktgjykimin ndaj liderëve të ish-UÇK-së, i cili është caktuar për 16 shtator.

“Kam marrë informacion se Hashim Thaçit do t’ia mbulojnë masën e paraburgimit, në mënyrë që ai të dënohet për mosrespektim të gjykatës, ndërsa për krimet ndaj serbëve nuk do të ketë asgjë”, ka thënë Vuçiqi.

Ai gjithashtu ka deklaruar se pas kësaj do të dalë publikisht dhe do të tregojë se si shtetet e tjera “e kanë gënjyer dhe mashtruar” Serbinë, përkatësisht se do të përmbledhë të gjitha të dhënat e deritanishme lidhur me atë që, sipas tij, “i është bërë serbëve” përmes sistemit të gjykatave ndërkombëtare.

Dhe ka shtuar se “Serbia do të zhvillojë një dialog ndryshe me evropianët dhe të gjithë të tjerët”.

“Sepse atëherë do të jetë e qartë se çfarë kanë bërë gjatë gjithë kësaj kohe. Është mirë që ne të mos merremi më me këtë çështje, të dimë se drejtësia ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare nuk ekzistojnë për të gjitha ato katër, pesë tribunale, gjykata të ndryshme, në këtë apo në atë mënyrë. Dhe është mirë që ne t’i besojmë legjislacionit tonë dhe të mos përzihemi më në këto punë”, ka pretenduar Vuçiqi

Të ngjashme

Të fundit