14.1 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Vritet komandanti më i lartë i “Xhihadit Islamik”

- Advertisement -

Sulmet ajrore izraelite goditën të premten objektiva në shumë pjesë të Gazës, duke vrarë një komandant të lartë të lëvizjes së Xhihadit Islamik palestinez. Grupi militant u zotua të hakmerrej duke thënë se mund të godiste Tel Avivin.

Zyrtarët lokalë të shëndetësisë thanë se të paktën nëntë individë, përfshirë një fëmijë pesëvjeçar, ishin vrarë dhe 44 u plagosën gjatë sulmeve. Arrestimi i një udhëheqësi militant palestinez në fillim të javës u pasua me pesë ditë tensione të përshkallëzuara.

Një zëdhënës izraelit tha se ushtria vlerësoi se kishte vrarë rreth 15 “terroristë”, por tha se nuk kishte një numër të plotë të viktimave.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po godasin Rripin e Gazës. Në frontin e brendshëm izraelit është shpallur një situatë e veçantë”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë.

Stacioni i radios së ushtrisë izraelite raportoi se Izraeli kishte kërkuar aktivizimin e njësive rezerviste në rajonin pranë Gazës, e cila drejtohet nga lëvizja militante Hamas që nga viti 2007.

Një zyrtar i Xhihadit Islamik konfirmoi se Tayseer al-Jaabari, për të cilin ushtria izraelite tha se ishte koordinatori kryesor midis Xhihadit Islamik dhe Hamasit, ishte vrarë nga sulmet, të cilat goditën disa objektiva rreth rripit me popullsi të dendur.

Ndërsa përgatitej mbajtja e funeraleve për të vrarët në sulme, qindra njerëz, disa me flamuj palestinezë, marshuan nëpër rrugët e Gazës.

Në fillim të javës, gjatë një bastisjeje në qytetin e pushtuar të Jeninit në Bregun Perëndimor, Izraeli arrestoi udhëheqësin e lartë të grupit të Xhihadit Islamik, Bassam al-Saadi.

Ushtria izraelite mbylli menjëherë të gjitha kalimet në Gaza dhe disa rrugë të tjera për shkak të frikës për sulme hakmarrëse nga grupi me një bazë të fuqishme në Gaza. Ky veprim kufizoi edhe më tej lëvizjen palestineze.

“Qëllimi i operacionit është eliminimi i një kërcënimi konkret ndaj qytetarëve të Izraelit dhe civilëve që jetojnë pranë Rripit të Gazës”, tha Kryeministri Yair Lapid në një deklaratë.

Në një intervistë për televizionin Al Mayadeen, një stacion libanez pro-iranian, udhëheqësi i Xhihadit Islamik Ziad al-Nakhala u zotua të hakmerret.

“Nuk ka vija të kuqe në këtë betejë dhe Tel Avivi do të goditet me raketat e rezistencës, si dhe të gjitha qytetet izraelite”, tha ai. Krahu i armatosur i Hamasit lëshoi një deklaratë ku thuhej se: “Gjaku i popullit tonë dhe i muxhahidëve nuk do të shkojë kot”.

Xhihadi Islamik, një nga degët e grupeve militante palestineze, u themelua në Gaza në vitet 1980 dhe e kundërshton dialogun politik me Izraelin. Grupi, i konsideruar për afrimitet me Iranin, është i ndarë nga Hamasi, por në përgjithësi bashkëpunon ngushtë me lëvizjen./voa/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit