Specialisti i Psikologjisë Klinike, Ilir Havolli, ka kërkuar që shërbimet e shëndetit mendor të jenë më të qasshme për qytetarët dhe të ofrohen pa pagesë në institucionet shëndetësore, pas vrasjes së dy personave dhe plagosjes së një tjetri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.
Havolli për Ekonomia Online tha se rastet e tilla e vënë në pah rëndësinë e trajtimit të problemeve të shëndetit mendor, menaxhimit të emocioneve dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të kërkuar ndihmë profesionale pa frikën e stigmatizimit.
“Këto vrasjen na flasin se me të vërtetë problematikat e shëndetit mendor janë rritur dhe ne si profesionist të shëndeti mendor do të bëjnë akoma më shumë për këtë individ që ta arrijë të menaxhojë emocionet e tyre dhe të mos vijë deri te kjo akti final, që është vrasja apo vetëvrasja”, tha ai.
Sipas Havollit, një nga hapat e rëndësishëm do të ishte përfshirja e psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor në institucionet ku qytetarët mund të marrin shërbime shëndetësore, në mënyrë që mbështetja profesionale të jetë e drejtpërdrejtë dhe pa pagesë.
“Më e duhura do të ishte inkorporimi i gjithë psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor në çdo institucion ku populli, individët kanë mundësi që të marrin shërbime shëndetësore, shëndetit mendor, pa pagesë dhe të kenë qasje të drejtpërdrejtë te këto shërbime”, tha ai.
Ai theksoi se vështirësitë në menaxhimin e emocioneve, përfshirë stresin, ankthin dhe depresionin, mund të ndikojnë në jetën e individit, duke e larguar atë nga rrethet shoqërore dhe duke ia zbehur shpresën.
“Pamundësia për me e menaxhuar emocionet e tij, siç është stresi, ankthi, depresioni, e shtyn një individ rreth një rrethi vicioz. Kur futet brenda atij rrethi vicioz individi e humb motivin, largohet nga rrethet sociale dhe si diçka e tillë mund të vjen deri te akte të tilla, ku ata kanë një mungesë të shpresës dhe realizojnë akte të tilla”, tha Havolli.
Specialisti i psikologjisë klinike vlerësoi se krahas zgjerimit të shërbimeve, rëndësi të veçantë ka edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për shëndetin mendor, në mënyrë që kërkimi i ndihmës profesionale të mos shoqërohet me frikën nga paragjykimet.
“Duhet ta bëjmë një ndërgjegjësim dhe edukim të promovimit shëndetësor në mënyrë që populli ynë të marrin shërbime shëndetësore, përkatësisht shërbime të shëndetit mendor, pa u frikësuar se ata do të stigmatizohen. Kjo është një hap i cili do të jetë vazhdimisht, por nuk është një destinacion i cili arrihet tani, por një destinacion i cili na ndjek në vazhdimësi, sepse çdo herë duhet të kemi parasysh që të bëjmë edukimin, promovimin dhe ndërgjegjësimin që pastaj popullata të kërkojnë ndihmë”, tha ai.
Të premten, në mesditë, një vrasje e dyfishtë tronditi fshatin Livoç i Ulët në Gjilan, ku mbetën të vrarë dy persona dhe një tjetër u plagos rëndë.
I dyshuari kryesor, Valon Ramushi, dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, Nafije Bogujevci, 27-vjeçare, dhe vëllain e saj, Egzon Bogujevci, 31-vjeçar. Po ashtu, ai dyshohet se ka plagosur rëndë djalin e xhaxhait të viktimave, M.B., 48-vjeçar, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).






