Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë ngritur dilema lidhur me votimin me asistencë dhe trajtimin e personave që nuk dinë shkrim-lexim, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka bërë thirrje që qytetarët, veçanërisht familjarët e personave që kanë nevojë për asistencë, t’i ndihmojnë ata paraprakisht për t’u familjarizuar me mënyrën e votimit, në mënyrë që të shmangen problemet në vendvotime.
Krasniqi tha se votimi me asistencë dhe asistimi në vendvotim janë çështje të ndara dhe se procedurat përcaktojnë qartë kategoritë që lejohen të votojnë me asistencë.
“Së fundmi në përfaqësi diplomatike, si dhe gjithashtu gjatë ditës së zgjedhjeve këtu, pra me 7 qershor, çështja që ndoshta është diskutuar edhe më herët ka qenë votimi me asistencë. Dhe në bazë të procedurave që janë të qasshme, duhet të jenë ndoshta edhe më të qasshme. Kjo është pjesa e informimit që unë e deshta pra te bëj me dije, pra si divizionit të informimit apo sekretariatit që ta bëjnë më shumë, që ka të bëjë me votimin me asistencë dhe asistimin në vendvotim. Janë të ndara, janë të përcaktuara kategori tejet të ngushtat që lejohen për të votuar me asistencë, dhe kategori të tjera të cilat nëse kanë nevojë, kanë vështirësi në lëvizje, mund të asistohen deri tek kabina e votimit nga asistuesit, por që gjatë procesit të votimit nuk guxon askush me qëndru afër. Pra, qytetarët e realizojnë të drejtën e tyre në mënyrë të pavarur dhe bazuar edhe në parimin e fshehtësisë së votës”, tha ai.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, tha se frekuenca e proceseve zgjedhore gjatë vitit të fundit ka krijuar vështirësi shtesë për institucionin.
Ai theksoi se KQZ-ja ende nuk ka gjetur zgjidhje për mënyrën e trajtimit të personave që nuk dinë shkrim-lexim gjatë procesit të votimit.
“Fatkeqësisht, ne brenda 12 muajve po i mbajmë pothuajse katër palë zgjedhje dhe natyrisht që gjithçka vështirësohet për shkak të shpeshtësisë së tyre. U fol këtu edhe për votimin me asistencë edhe për asistimin në votim, por mendoj që duhet thënë, për shembull, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akoma nuk e ka gjetur një zgjidhje se si do t’i trajtojë personat që nuk dinë shkrim-lexim. Besoj, për shembull, që kjo do të duhej të ishte njëra prej detyrave dhe sfidave të radhës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i gjejë zgjidhje, minimalisht për zgjedhjet që vijnë”, tha ai.






