-0.4 C
New York
Thursday, February 29, 2024

Buy now

VOA: BE përgatitet për përdorim të fitimeve nga pasuritë e ngrira ruse

Vendet e Bashkimit Europian kanë rënë dakord për të miratuar një marrëveshje afatgjatë, për t’i përdorur kur të jetë nevoja, përfitimet nga pasuritë prej qindra miliarda dollarësh të Bankës Qendrore Ruse në Evropë, të ngrira për shkak të luftës së Moskës ndaj Ukrainës, tha një zyrtar i Bashkimit Europian.

Marrëveshja, e arritur të hënën vonë, ka ende nevojë për miratim zyrtar, por shihet si hapi i parë drejt përdorimit të një pjese prej 200 miliardë eurosh (216 miliardë dollarë) të pasurive të Bankës Qendrore Ruse në Bashkimin Europian, për të ndihmuar Ukrainën të rindërtohet nga shkatërrimi rus.

Zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej pasi marrëveshja nuk ishte miratuar ende ligjërisht, tha se blloku “do të lejonte fillimin e mbledhjes së të ardhurave të jashtëzakonshme të krijuara nga pasuritë e ngrira … për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës.”

Se si do të përdoren të ardhurat do të vendoset më vonë, pasi të jenë shqyrtuar të gjitha mekanizmat ligjore dhe praktike.

Ajo çka e bën urgjente këtë hap është fakti që Ukraina po përpiqet të sigurojë qëndrueshmëri, ndërsa planet e ndihmës në BE dhe Shtetet e Bashkuara po frenohen për shkak të mosmarrëveshje politike, përfshirë mëdyshjet nëse aleatët do të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën me të njëjtin ritëm siç bënë në dy vitet e para të luftës.

Udhëheqësit e BE-së do të takohen të enjten me shpresën se do të miratojnë një paketë mbështetjeje prej 50 miliardë eurosh (54 miliardë dollarë) për Ukrainën, ndërsa i vetmi që kundërshton është kryeministri hungarez Viktor Orban.

Në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për një vendimmarrje “të fortë” këtë vit që pasuritë e ngrira në bankat perëndimore “të shkojnë për mbrojtjen kundër rusëve dhe rindërtimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara njoftuan në fillim të agresionit rus se Uashingtoni dhe aleatët e saj kishin bllokuar qasjen ndaj më shumë se 600 miliardë dollarësh që Rusia mbante jashtë kufijve të saj, duke përfshirë afërsisht 300 miliardë dollarë fonde që i përkisnin Bankës Qendrore të Rusisë.

Që atëherë, SHBA-të dhe aleatët e saj kanë vazhduar të vendosin një sërë sanksionesh që kanë patur si objektiv kompanitë dhe elitat e pasura që kanë lidhje me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas një vlerësimi të fundit të Bankës Botërore mbi dëmin në Ukrainë, të publikuar në mars 2023, kostot për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e vendit do të jenë 411 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme, që përfshin nevojat për fonde publike dhe private.

Belgjika, e cila mban presidencën e rradhës të Bashkimit, po udhëheq bisedimet nëse do të konfiskohen pasuritë e Rusisë. Belgjika është gjithashtu vendi ku mbahen shumica e pasurive të ngrira ruse.

Ky vend po mbledh taksat mbi pasuritë. Kryeministri belg Alexander De Croo tha në tetor se 1.7 miliardë euro (1.8 miliardë dollarë) që ishin mbledhur nga taksat mund të përdoreshin për të paguar për pajisje ushtarake, për të siguruar ndihmë humanitare dhe për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta/VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit