Vjosa Osmani ka nisur fushatën derisa partitë tjera presin vendimin e Kushtetueses

- Advertisement -

Përderisa partitë politike po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit, Vjosa Osmani, Presidentja aktuale, e cila është në ditët e fundit të mandatit të saj, ka nisur fushatën.

Riaktivizimi i Osmanit në skenën politike aktive po vjen pasi që nuk u rikandidua edhe për një mandat si Presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, partneri i saj i dikurshëm.

Së fundmi, Osmani ka bërë vizita në disa qytete të Kosovës, si në Prizren, SuharekëFerizaj e Podujevë.

Pamjet e shpërndara nga këshilltarët e saj dhe media lokale fokusohen kryesisht në mbështetjen që ajo merr, me deklarata entuziaste nga qytetarët. Në një prej takimeve në Podujevë, një qytetar i drejtohet me fjalët: “Me mish e me shpirt jam me ty”.

Gjatë vizitës në Podujevë të shtunën, sipas disa pamjeve që janë publikuar nga “Jeta në Podujevë”, Osmani ka mbajtur një takim me disa qytetarë në një çajtore të qytetit.

“Unë deri më 4 prill s’mundem me fol, po kjo s’do me thanë që ju s’bën me fol. Ju kallxoni çka po doni ju”, u thotë Osmani qytetarëve.

Në këto vizita, Osmani përveç këshilltarëve të saj, po shoqërohet edhe nga disa ish-eksponentë të Listës Guxo, si ish-deputetët: Burim Meta dhe Ekrem Mustafa, ndërsa po pritet edhe nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, siç është rasti në fshatin Siboc të Podujevës ku u prit nga dy asamblistët e LDK-së, Alisa Jetullahu dhe Ekrem Rrahmani.

Se do të rikthehej aktivisht në politikë në rast të moskandidimit edhe për një mandat në krye të shtetit, Osmani kishte paralajmëruar më parë, por nuk e kishte qartësuar se ku dhe si do të vazhdonte aktivitetin e saj politik.

“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, kishte thënë Osmani në shtator të 2024-së kur ishte pyetur se a do të jetë pjesë e politikës edhe pas përfundimit të mandatit si Presidente.

Përçarja mes Osmanit dhe Kurtit filloi kur kjo e fundit, edhe pse shprehu hapur synimet, nuk u kandidua nga Lëvizja Vetëvendosje edhe për një mandat për Presidente. Nga këtu, partnerët e dikurshëm filluan sulmet ndaj njëri tjetrit.

Pasi që dyshja Kurti-Osmani ndanë rrugët, disa eksponentë të LDK-së, duke filluar nga Kryetari Lumir Abdixhiku, u shprehën pro rikthimit të Osmanit në ish-partinë e saj.

Abdixhiku ia hapi edhe derën. Në një intervistë për Klan Kosova para disa ditësh, derisa foli për një bashkim të të djathtëve, ai tha se Osmani e ka vendin e padiskutueshëm në këtë projekt.

“Hapësira diskutuese me Vjosën është më e mirë se që ka qenë ndonjëherë më parë. Do të ulemi të flasim. Patjetër. LDK i hap dyert për ata që besojnë. Natyrisht se Osmani e ka vendin e vet të padiskutueshëm. Bashkim ose bashkëpunim duhet parë”, tha Abdixhiku.

Pasi seanca e 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, Osmani më 6 mars shpërndau Kuvendin.

Dekreti i saj u përkrah nga opozita, teksa u cilësua anti-kushtetues nga Vetëvendosja dhe lideri i saj, Albin Kurti. Nga kjo parti, dekretin e dërguan në Kushtetuese, e cila vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars.

Osmani ishte larguar nga LDK-ja në vitin 2021. Ajo kishte themeluar një iniciativë të quajtur Lista GUXO, në fillim të vitit 2021. Me këtë iniciativë, Osmani kishte bërë koalicion me Albin Kurtin, duke u bërë pjesë e listës së VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në ato zgjedhje, Osmani kishte garuar për Presidente, ndërsa Kurti për Kryeministër. Pas fitores me mbi 50 për qind, binomi kishte marrë të dy pozitat.

Humbjen më të madhe në zgjedhjet e 2021-së do ta kishte LDK-ja. Kjo parti do të merrte rezultatin më të dobët në histori, rreth 13 për qind.

Për shkak të këtij rezultati të dobët, Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i LDK-së.

Osmani ka pasur pozita kyçe në LDK. Madje, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ajo ishte mandatuar nga partia si kandidate për Kryeministre.

Në ato zgjedhje, Osmani ishte renditur e dyta, pas Kurtit.

Për shkak të marrëveshjes për bashkëqeverisje me VV-në, Osmani do të zgjidhej Kryetare e Parlamentit.

Çarja e Osmanit me LDK-në kishte filluar kur ajo kishte dalur kundër prishjes së koalicionit me VV-në, pasi që Albin Kurti, si Kryeministër, e kishte shkarkuar Agim Veliun e LDK-së nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Osmani kishte dalur kundër formimit të Qeverisë së re nga bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti.

Të ngjashme

Të fundit