22.9 C
New York
Thursday, July 18, 2024

Buy now

Vjosa do shuhet si histori turpi, është produkt njëpërdorimësh i Kurtit

- Advertisement -

Vjosa Osmani deklaroi se paralajmërimi i Presidentit Macron për pasojat e mundshme në rast të dështimit të zbatimit të ujdisë mes Kosovës e Shqipërisë është një mënyrë për ta vrarë vetë dialogun. Kjo është një deklaratë jo thjesht e pamatur, por realisht e tmerrshme nga kreu i shtetit të Kosovës.

Në krye të herës, Vjosa Osmani e vendos veten në një pozitë jo vetëm që i ligjëron Presidentit Macron për çështjet e Ballkanit Perëndimor, por flet me tone kërcënuese nga pozita e një shteti me një grumbull të pamatshëm problemesh pikërisht ndaj Francës, një prej vendeve lider të BE-se, një shteti me ulëse permanente në Këshillin e Sigurimit, një force nukleare dhe ndaj një fuqie botërore ndikimi i së cilës është vendimtar nga Afrika deri te lufta në Ukrainë.

Pra, pasioni i saj megaloman që buron nga psikologjia e një fëmije të llastuar është ana më e lehtë e çështjes krahasuar me pasojat e mundshme diplomatike e politike të kësaj qasjeje në rrafsh ndërkombëtar.

Në radhë të dytë, Presidenti Macron nuk ka kërkuar asgjë më tepër se zbatimin e një marrëveshje që vetë Osmani e Kurti e kanë duartrokitur me entuziazëm të papërmbajtur. Nuk ka asgjë më legjitime nga ana e Presidentit të Francës sesa kërkesa për zbatim të një marrëveshje të cilën vetë Kurti e Osmani e kanë mbështetur dhe madje i janë falënderuar personalisht të parit të Francës për kontributin e dhënë.

Çka u bë tani që Vjosa Osmanit i duket vetja në pozitë ta qortojë Presidentin e Francës ashtu siç iu bërtet vartësve të saj në Presidencë nga Shefi i Kabinetit e më poshtë në momentet e humbjes së shpeshtë të kontrollit të saj?

Me Presidentin e Francës, ajo nuk mund t’i thotë askujt ta zgjidhë këtë çështje nëpërmjet Prindonit. Me Presidentin e Francës, Kosova do të jetë bartësja e vetme e pasojave politike të kësaj sjelljeje aventuriere.

Në fund, me idenë se në rast të sanksioneve të mëtejme, Kosova do tërhiqet krejtësisht nga dialogu, Vjosa Osmani nuk ka bërë vetëm një dëm monumental në politikën e jashtme. Në fakt, ajo i rrëzoi edhe arsyetimin kryesor të Albin Kurtit se ai është duke e vazhduar dialogun meqë ai nuk ka alternativë, si një e keqe e domosdoshme.

Sipas Vjosa Osmanit, tërheqja është një opsion rezervë i Kosovës në rast të përshkallëzimit të masave të BE-së ndaj saj. Në mendjen e saj të ngushte, mund të duket se me këtë deklaratë ajo ka paralajmëruar përmbysje të paradigmave të politikës ndërkombëtare. Që kjo nuk është e vërtetë, s’do asnjë shtjellim të mëtejme. Shtjellim të mëtejme megjithatë kërkon sjellja e dyfishtë e Osmanit e Kurtit në politikën e brendshme përkundër asaj të jashtme.

Metafora e ‘pulës dhe skifterit’ e përdorur nga Albin Kurti për të përshkruar sjelljen e kryelartë të krerëve shtetërorë në rrafshin ndërkombëtar dhe atë të përulur në fushën e politikës së brendshme pa dyshim se është palidhje (pothuajse si çdo shprehje simbolike që shkakton vetë-magjepsje të pafundme në brendinë e tij, nga kafeja pa kupë, qerrja pa kalë, ngrënia e spagetti-ve me lugë).

Në universin paralel të ndjekësve të tij të verbër, kjo quhet filozofi. Mirëpo në botën reale të politik-bërësve të përgjegjshëm të Kosovës, personaliteti i dyfishtë i Vjosa Osmanit, një fytyrë tjetër jashtë e një fytyrë tjetër brenda, ka sfiduar edhe kufijtë më fundorë të metaforave pa lidhje të Kurtit, me pula e skiftera, me zogj dhe shota, me zvarranikë të pështirë që ëndërrojnë se janë luanë të patrembur.

Vjosa Osmani që nga dita e parë në zyrë është sjellë si një shërbëtore e Albin Kurtit. Në asnjë hap të vetëm në dialog, i cili shkoi thellësisht keq duke përfunduar pa njohje si pasojë e me autonomi kulturore e territoriale për serbët për shkak të veprimeve të Albin Kurtit, ajo nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësueses së unitetit të popullit, drejtueses së politikave të jashtme e liruar nga përcaktimet partiake, por të zëdhënëses së dobët të Albin Kurtit në çdo gafë në dialog: nga sulmi për njëanshmërine e Borell-it, deri te gënjeshtra për versione të tmerrshme të cilat i paska shmangur Kosova në Ohër në funksion të shitjes se planit franko-gjerman deri te arsyetimi i shefit të saj për një sërë veprimesh që e vunë Kosovën nën sanksione ndërkombëtare.

Gjykuar nga kjo pikëpamje, Vjosa Osmani është zhvendosur vetëm në formacion politik, por jo edhe në karakter personal: të njëjtën ka bërë si shërbëtore dinake me llogari të pambarimta e Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës, adhuruese e flaktë e Skënder Hysenit dhe së fundi edhe shërbëtore edhe adhuruese e Albin Kurtit.

Sidoqoftë, ajo është e vetëdijshme që pabesitë e saj kanë disa kufij. Ndërrimi i partnerëve politikë më shpesh se partitë e Mimoza Kusarit duhet mbuluar me qëndrimin e gjoja së nje sjelljeje dinjitoze të propaganduar në mësimet e errëta të Husamedin Ferrajt, Elvis Hoxhës e Arbër Zaimit.

Vjosa Osmani mund të mos jetë takuar asnjëherë me huliganë e banditë të këtij lloji, disa prej të cilëve humbin partitë nëpër kazinotë e Kosovës dhe Shqipërisë. Mirëpo kundërthënia mes sjelljes si Presidente jashtë dhe brenda është rrjedhojë e një përbrendësimi të turpshëm të kësaj fryme politike.

Ajo që i nënshtrohet çdo ditë Albin Kurtit në rrugën e tij të marrë e përplot korrupsion, nuk nguroi të shfaqet me një azginllëk qesharak kundër paralajmërimeve të Presidentit Macron për heqjen e mundshme të vizave.

Pra, merreni me mend, erdhi dita që Vjosa Osmani, pikërisht ajo që qante kafeterive të Prishtinës se Isa Mustafa nuk do ta kandidojë për Kryeministre kundër Albin Kurtit të cilin e quante dikur Hugo Chavez, iu ngërrmua Presidentit Francez se politika e tij është thjesht një mënyrë për ta vrarë dialogun.

Pra, jo vetëm që Vjosa e ka keqkuptuar keqazi veten si një lidere të permasave ndërkombëtare, por edhe është bërë me mend të Albin Kurtit se kjo dyshe janë mësues, ligjërues dhe profesorë të politikës për gjithë përfaqësuesit mjeran, mendjepakët, madje dashakëqij të bashkësisë ndërkombëtare.

Fillimisht, Vjosa Osmani me atë qëndrim nuk tregoi se politika kriminale e gazit lotsjellës dhe sulmeve fizike ndaj oponentëve politikë ka qenë një prej shkaktarëve kryesorë të humbjes së momentumit për liberalizimin e vizave.

Pra, argumenti se Vetëvendosja e zhbllokoi çështjen e vizave e fsheh pikërisht faktin se pikërisht Vetëvendosja e bllokoi në radhë të parë.

Tutje, Vjosa Osmani shtoi se askush nuk do të ketë më fuqinë të shkojë në dialog për shkak të humbjes së legjitimitetit qytetar.

Në fakt, sipas kësaj logjike, ajo së bashku me VV-në duhet të ikin sa më parë nga zyrat e tyre, kush në Norvegji e kush tjetër në pushime nëpër vilat shtetërore në Shqipëri, sepse e kanë gënjyer një popull të tërë lidhur me përfundimin e dialogut.

Nga premtimi se nuk do të negociojnë pa parime përfunduan në mbrojtjen e një marrëveshjeje pa njohje ndërkombëtare qendërzuar krejtësisht rreth autonomisë territoriale dhe Kishës Ortodokse Serbe. Vetë ata kanë tradhëtuar mandatin politik të cilit ua besuan mbi 50 për qind e trupit elektoral të Kosovës.

Me fjalë të tjera, argumentet e Vjosa Osmanit kundër Macron-it, jo vetëm që janë skandaloze nga projektimi i një fuqie të paqenë politike në arenën ndërkombëtare, por para së gjithash janë argumente kundër vetë politikës së tyre në rrafshin e brendshëm.

Për këtë, nuk ka përse Vjosa të bëhet skiftere sytrembur jashtë, kur duhet të sillet si pule e lagur brenda, në rast se do kishte vetëm pak fytyrë, vetëdije dhe ndërgjegje.

E dimë, e dimë, kjo është një kërkesë shumë e madhe për Vjosa Osmanin.

Sidoqoftë, pasojat e kësaj politike të udhëhequr nga dy personalitete krejtësisht të papjekura, do të jenë shumë afatgjata dhe pothuajse të pariparueshme për Kosovën.

Për më shumë, vetë Vjosa Osmani, njëjtë sikur padroni i saj Albin Kurti, kërkoi zbatim të plotë dhe të menjëhershëm të Marrëveshjes së Ohrit, gjë që nënkupton zbatim të autonomisë territoriale dhe kulturore të serbëve në Kosovë.

Ata për këtë çështje e kanë ndarë mendjen dhe pas takimit të Ohrit nuk ka më rrugë tjetër.

Është vetëm çështje kohe.

Pse atëherë kërcënimi për Presidentin e Francës për një çështje që po e kërkojnë vetë Kurti e Osmani? Fare e thjeshtë është përgjigja.

Kurtit edhe Osmanit ju duhet edhe pak kohë në rrafshin e brendshëm për ta shfrytëzuar katrahurën në Veri si mjet për të forcuar bindjen publike se këta po i rezistojnë deri në fund një procesi fundamentalisht të dëmshëm për vendin.

Ndërkohë, në lojën e balancimeve të qëndrimeve politike në rrafsh ndërkombëtar, ata po punojnë të krijojnë atmosferën e nevojshme për marrjen e hapave të parë drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Me këtë qasje ata kanë zëvendësuar përgjegjësinë në marrëdhënie ndërkombëtare me shqetësime të marrëdhënieve me publikun në botën e brendshme pikërisht për shkak të mashtrimeve të tyre ndër vite.

Beteja me paaftësinë e mashtrimet e Albin Kurtit mbase do të zgjasë edhe ca kohë. Megjithatë, një gjë është krejtësisht e sigurt: Vjosa Osmani është një produkt njëpërdorimësh në politikën e Albin Kurtit, e cila do të shuhet pas këtij mandati në koshin e turpit të historisë së vendit. Për të tjerat, natyrisht, vazhdojmë e flasim çdo ditë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit