Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë në “kurthin” e një statusi politik të shkruar në Facebookun e tij, në verën e vitit 2018. Statusi i tij i dedikohej fitores së parë të Zvicrës kundër Serbisë, e cila kishte ardhur si rezultat i dy futbollistëve shqiptarë, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.
Opizitari Kurti në këtë status e quante hipokrizi gëzimin e politikanëve për humbjen e Serbisë. Arsyeja pse Kurti e quante këtë hipokrizi ishte, sepse, sipas tij, po gëzoheshin politikanët që zhvillonin negociata pa parime me Serbinë.
Por, dy vite pas këtij statusi, Albin Kurti ishte bërë Kryeministër i Kosovës dhe ashtu si politikanët tjerë filloi dialogun me Serbinë pa asnjë kushtëzim.
Kushtëzimi i dialogut me zbardhjen e fatit të të pagjeturve apo kërkimfalja nga Serbia para nisjes së dialogut, u hodhën në koshin e plehrave nga Kurti. Si për ironi të fatit, 4 vite pas statusit në Facebook nga Kurti, Zvicra ka fituar sërish kundër Serbisë dhe atë falë Shaqirit dhe Xhakës.
Kurti, kësaj radhe kryeministër, nuk shau asnjë politikan. U mjaftua me një mesazh të shkurtër: Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës! Kurti nuk shkruajti asgjë më shumë, por mjafton statusi i tij i vitit 2018 për ta treguar hipokrizinë e tij kur thoshte se “Shumë politikanë që bëjnë politikë pazaresh dhe kontrabandë me Serbinë, që kanë dëmtuar vazhdimisht Kosovën me pjesëmarrjen në negociatat pa parime, sot po ekzaltohen pse kombëtarja e Serbisë humbi lojën. Kinse patriotë? Hipokrizi”. Në këto rreshta është kryeministri Albin Kurti që shkoi pa asnjë kusht në negociata me Serbinë i përshkruar nga opozitari Albin Kurti. /Demokracia/